Live

Dhunë në vazhdimësi, gruaja nga Kaçaniku rrëfen në Polici pasi burri e rrahu – arrestohet i dyshuari

21:03 / 13 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.

Për një rast të tillë ka rrëfyer në Polici një grua nga Kaçaniku, e cila e denoncoi sot në Polici bashkëshortin e saj.

Sinjali mëson se në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në vazhdimësi ka përjetuar dhunë psikike nga burri, duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.

Rasti i fundit ku pati edhe dhunë fizike e shtyu atë që të kërkojë ndihmën e Policisë, ku deklaroi se burri e ka sulmuar fizikisht.

Si rezultat, Policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprën “Dhunë familje”.

Shpërndaje në

U Kopjua