Live

Dorëzimi i Radoiçiqit, dhe masat e BE-së – çka i kërkoi Kurti Kallasit në darkë?

10:34 / 23 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë një darke pune me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, kërkoi heqjen e plotë të masave kufizuese ndaj Kosovës.

Duke e falënderuar për vizitën në Prishtinë dhe mbështetjen e BE-së, Kurti theksoi progresin e Kosovës në reformat e brendshme dhe linjëzimin me politikën e jashtme të BE-së.

Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se ai kërkoi që vendi të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, duke e cilësuar Kosovën si demokracinë më të avancuar në Ballkanin Perëndimor, transmeton Klankosova.tv.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti insistoi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Po ashtu, kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit, të akuzuar nga Prokuroria e Kosovës me një aktakuzë prej 160 faqesh.

Kurti ngriti edhe çështjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kërkuar nga BE veprime konkrete për mbrojtjen e tyre.

Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin paszgjedhor në Kosovë dhe për angazhimet për formimin e institucioneve të reja.

Shpërndaje në

U Kopjua