Live

Drejtori i Përparim Ramës me pasuri marramendëse, a ia kthei banesën sociale komunës?

19:45 / 25 Maj 2023

Nga Kosova Live

Drejtori i Shëndetësisë të Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku hynë tek personat që kanë të ardhura të larta.

Si asamblistë i komunës së Prishtinës që ishte, në vitin 2007, sikurse edhe shumë tjerëve atij i ishte ndarë për banim një banesë, pronë e komunës së Prishtinës. Tash, kontoja e familjes së tij mbanë rreth 150 mijë euro para të gatshme, posedon dy banesa mbi 100 metra katrorë, dhe një biznes privat, shkruan Periskopi.

Banesa nr 3/7 në hapësirë prej 63.80 m2 që gjendet te Banesat e Standardit në Bregun e Dillit – Prishtinë i ishte dhënë atij në shfrytëzim për 10 vite, pra deri në vitin 2017, por kontrata ishte ripërtërirë në heshtje pa miratimin e palëve.

Më autorizim të kryetarit Përparim Rama, komuna e Prishtinës ka formuar një komision për verifikimin e shfrytëzimit dhe statusit të banesave në Bregun e Diellit, Fusha Pajtimit dhe Hajvali.

Ky Komision pas vizitave në teren ka verifikuar shfrytëzimin e 249 njësive banesore – pronë e Komunës së Prishtinës.

Të këto banesa, Komuna e Prishtinës, shumicën e familjeve i ka vendosur aty në vitin 2007 për një afat të qirasë prej 10 vjetësh. Që nënkupton se nga viti 2017, të gjitha familjeve u ka skaduar kontrata.

Drejtori Sadiku, as zyra për informim e Komunës së Prishtinës, nuk kanë treguar për Periskopin nëse Sadiku e ka akoma në shfrytëzim banesën. Por, nëse ai e posedon akoma banesën e rasteve sociale, gjasat janë ta ketë lëshuar më qira, pasi posedon dy banesa super luksoze të cilat i kishte ble para pak viteve.

Periskopi, posedon edhe një dokument, në të cilin shkruan “banorët që nuk shfrytëzojnë banesat sipas kontratës së qirasë”. Aty është edhe emri i Sadikut, por nuk dihet se për çka bëhet fjalë saktësisht.

Bazuar në deklarimin e pasurisë, i cili është publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit – AKK, Mars 2022- Mars 2023, pasuri të paluajtshme bashkë më bashkëshorten, Sadiku ka deklaruar se ka dy banesa e një garazhë. Një banesë 103.85 m2 e blerë nga kursimet dhe kredia, vlera e të cilës është paraqitur 72, 500.00 euro, e blerë 2017. Banesa tjetër 107.70 m2, e blerë në vitin 2015, vlera e të cilës është shënuar 80 mijë euro, dhe po ashtu garazhe 10 m2 në vlerë prej 6500 euro.

Pasuri të luajtshme ka deklaruar dy vetura të tipit ‘Audi’, njëra e tij e tjetra e bashkëshortes. Njëra me vlerë 17 mijë euro e tjetra 18, 500 euro.

Izet Sadiku deklaruar një biznese në emrin e bashkëshortes më 100 për qind të aksioneve: Poliklinika EndoClinic&medical&laboratory.

Sadiku mbanë tri puna, atë të drejtorit të Komunës, profesor në kolegjin AAB, dhe mjek – infektolog në Poliklinikën e bashkëshortes së tij “EndoClinic”

Të hyrat vjetore nga angazhimi në këto tri institucione i ka deklaruar në vlerë prej rreth 41 mijë euro. Të hyrat më të mëdha i ka nga klinika e bashkëshortes, në një vlerë prej 21, 820.00 euro.

Bashkë më bashkëshorten, ka paraqitur para të gatshme në bankë në vlerë prej 143 mijë eurove, rreth 20 mijë të tij dhe 120 mijë të bashkëshortes.

Po ashtu ka paraqitur edhe dy kredi të banesave që i ka në emrin e bashkëshortes. Vlera e dy kredive është rreth 28 mijë euro.

Ndonëse, Poliklinika është në emrin e bashkëshortes, ajo nuk figuron se merr pagë nga kjo klinikë, të paktën sipas deklarimit të pasurisë. Për të ka deklaruar të hyra- mëditje nga KRKA- Qeveria e Kosovës, dhe pagë mujore nga “Bahceci Healtc” në vlerë prej 900 euro.

Shpërndaje në

U Kopjua