Live

Drogë nëpërmjet postës, tre të arrestuar, në kërkim dy porositësit

12:17 / 18 Prill 2025

Nga Kosova Live

Nga një aksion i policisë në Shqipëri janë arrestuar tre shtetas, sapo morën pakot me rreth 1.6 kilogramë lëndë narkotike në degë postare në Tiranë e Shkodër.

Ndërkohë, janë identifikuar dy porositës dhe po vijon puna për kapjen e tyre, teksa janë sekuestruar dy pakot me lëndë narkotike, 3 telefona dhe një automjet.

Gjatë operacionit “Pako 1” u arrestuan 24-vjeçari dhe një 55-vjeçar duke marrë në një degë postare në Tiranë një pako me rreth 522 gramë cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se ishte trafikuar nga ShBA-ja.

Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte një shtetas 25-vjeçar, i cili u shpall në kërkim.

Ndërsa gjatë operacionit “Pako 2”, u arrestua në flagrancë shtetasi 19-vjeçar, duke marrë në një degë postare në Shkodër një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga ShBA.

Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte një shtetas 23-vjeçar, i cili u shpall në kërkim.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje në

U Kopjua