Nga 193 pacientë të lënduar në tragjedinë e Koçanit, 48 pacientë po mjekohen jashtë shtetit, ndërsa nëntë të tjerë në Shkup. Dy pacientë vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike, të cilët janë të intubuar dhe kanë dëmtime në rrugët e frymëmarrjes. Ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme, por rreziku nga infeksionet mbetet.
“Sot, në Shkup gjithsej trajtohen 9 pacientë, prej të cilëve vetëm dy janë në Qendrën Klinike, edhe atë në Kirurgjinë Plastike, një pacientë në spitalin 8 Shtatori, katër janë në spitalin e përgjithshëm të qytetit, dhe dy pacientë janë në një spital privat. Ditët në vijim presim që edhe disa pacient të kthehen, sot kthehet një pacient prej Hungarie”, tha Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Pacientja e parë që është dërguar jashtë vendit e cila ka qenë në gjendje të vështirë shëndetësore është kthyer në vend. Ajo është në gjendje të qëndrueshme por do të mbetet e shtruar në spital për trajtim të mëtutjeshëm.
“Ajo është ndër të parat që është dërguar jashtë shtetit, është kthyer në gjendje stabile. Nesër planifikohet një intervenim i vogël kirurgjik për trajtimin e plagëve, për të cilët ka nevojë akoma për mjekim dhe të gjitha parametrat tjerë i presim pasi ajo ka qenë më kritike dhe ka pasur komplikime gjatë shërimit. Pra është një ndër pacientët më kritik që është kthyer dhe shpresoj kur të gjitha analizat janë mirë ta lëshojmë për shërim shtëpiak”, u shpreh Jasmina Gjorgjievska Pavllovska, drejtoreshë e Kirurgjisë Plastike, raporton Alsat-M, transmeton Gazeta Sinjali.
Nga java e ardhshme në spitalin 8 Shtatori një ekip mjekësh do të përkujdeset për pacientët që do të kthehen në vend, ndërsa ekspertët nga Anglia së bashku me mjekët tanë do të përgatisin protokolle, të cilët do të vlerësojnë se ku duhet pacientët të vazhdojnë mjekimin.