Lufta e shtetit kundër drogës po vazhdon, ndërsa pothuajse çdo ditë raportohen raste të posedimit, shitblerjes dhe shpërndarjes së substancave narkotike. Në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka kapur një person të dyshuar në Gjakovë, i cili shpëtoi nga ndalimi policor.
Klankosova.tv mëson se bëhet fjalë për Leon Elezin (1997), emër i njohur për organet e rendit, i cili u kap me drogë.
Elezi u zbulua pasi Policia e ndaloi për kontroll në rrugën “Domenik Përgegaj”, ku u ngritën dyshime se ai ishte duke përtypur diçka të dyshimtë.
Gjatë verifikimit, i riu ka pranuar se kishte gëlltitur substancë narkotike të llojit marihuanë dhe për pasojë është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, transmeton Klankosova.tv.
Me urdhër të prokurorit, është bastisur shtëpia e të dyshuarit në rrugën “Ganimete Terbeshi”, ku është gjetur një sasi e narkotikëve të llojit marihuanë dhe një sasi kokaine prej 1.84 gramësh.
Provat e gjetura janë sekuestruar, ndërsa ndaj të dyshuarit është hapur hetim dhe më pas është liruar me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Burimet e Klankosova.tv bëjnë me dije se Elezi është recidivist i veprave që lidhen me substanca narkotike. Ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 1 vit burg me kusht dhe me gjobë prej 600 eurosh, për përdorim të narkotikëve.
Elezi akuzohej se, pasi ishte ndaluar me makinë nga zyrtarët policorë, atij i ishin gjetur katër qese najloni të mbushura me marihuanë. Aktakuza shpjegonte se këto qese i kishte fshehur në të brendshme.
Ai nuk e kishte pranuar fajësinë për shitblerje të drogës, duke deklaruar se substancat narkotike i kishte për konsum personal./Klankosova.tv
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.