Live

Ekskluzive: Dokumenti që tregon se nxënësit në SHFMU “Pavarësia” detyrohen të paguajnë për sigurimin

11:52 / 04 Maj 2025

Nga Kosova Live

Klankosova.tv ka siguruar dokumentin që tregon se nxënësit e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët  “Pavarësia” në Prishtinë, detyrohen të paguajnë nga dy euro për sigurimin e shkollës.

Dokumenti që është publikuar më datë 29 prill nga u.d drejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Brahaj shkruhet se për sigurim të shkollës, nga data 2 maj do të nis zbatimi i masave të reja për sigurimin fizik të ambientit të shkollës.

Të përfshirë në këtë pagesë shkruhet se janë parafillorët deri te nxënësit e klasës së nëntë.

Tutje, specifikohen edhe mënyrat e pagesës, derisa për pagesë kanë edhe një afat kohor prej 5 deri më 12 maj 2025.

Ndërkaq, një burim për Klankosova.tv, prind i një nxënësi në këtë shkollë, tha se e ka ndërmend t’i largojë fëmijët nga kjo shkollë.

“Ky drejtori i kësaj shkolle i ka detyruar secilin nxënës në këtë shkollë çdo muaj t’i sjell nga dy euro, dikush i ka 3 fëmijë duhet t’i sjell 6 euro. A ka këso turpi dikun, veç te na ndodhin këto sene me pagu sigurim nxënësit për interesa të dikujt dhe tjetra është që problemet bëhen jashtë oborrit të shkollës dhe jo brenda”, tha prindi i njërit nga nxënësit e kësaj shkolle, emër i njohur për redaksinë.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe u.d drejtorin e shkollës Halil Brahaj, i cili tha se ky vendim ka ardhur unanimisht nga Këshilli i Prindërve dhe jo nga menaxhmenti i shkollës.

Shpërndaje në

U Kopjua