Live

Ekskluzive: Këta janë vëllezërit e arrestuar për fajde në Prizren, i dhanë viktimës para me kamata 15-20%

16:02 / 25 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Gazeta Kosovalive raportoi sot ekskluzivisht për një aksion të Policisë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që u zhvillua si vazhdimësi e një rasti të mëhershëm dhe cak kishte personat e përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, e konfirmoi për Sinjalin se janë arrestuar dy persona, të cilët tashmë janë ndaluar.

Kosovalive ka mësuar ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë Liridon Gashi dhe Dibran Gashi, vëllezër mes vete.

Ata dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 15% – 20%.

“I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.” – njoftoi Prokuroria Themelore në Prizren.

Kontrolli është realizuar në rajonin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë arrestuar.

Gjatë këtij aksioni, janë sekuestruar dy automjete, armë, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua