Ndërtimi i një sistemi të avancuar për mbrojtje nga raketat në Shtetet e Bashkuara, i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, mund t’i besohet një grupi prej tre kompanish, përfshirë edhe kompaninë e njohur SpaceX, në pronësi të Elon Musk – një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas agjencisë Reuters, SpaceX ka paraqitur një ofertë në bashkëpunim me kompanitë Palantir dhe Anduril. Tenderi në fjalë përfshin ndërtimin e pjesëve kyçe të projektit “Kupa e Artë”, siç e ka quajtur vetë Trump.
Veç Muskut, edhe drejtuesit e dy kompanive të tjera janë mbështetës të Trumpit dhe kanë dhuruar miliona dollarë për fushatën e tij presidenciale.
Përfaqësues të këtyre kompanive janë takuar në javët e fundit me zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit dhe të Pentagonit për të paraqitur planin që përfshin ndërtimin dhe lëshimin në orbitë të 400 deri në mbi 1000 satelitëve për të zbuluar dhe ndjekur raketat armike.
Në këtë plan përfshihet edhe një flotë prej 200 satelitësh sulmues të armatosur me raketa ose lazerë për të shkatërruar raketat armike, megjithëse pritet që grupi i SpaceX të mos marrë pjesë në armatosjen e satelitëve.
Reuters raporton gjithashtu se SpaceX ka propozuar një sistem me pagesë mujore për shërbimet e saj, në vend të një strukture pronësie nga qeveria amerikane. Disa zyrtarë të Pentagonit kanë ngritur shqetësime për këtë model abonimi, duke e quajtur atë të pazakontë për një projekt kaq kritik dhe të madh.
Gjenerali i Forcave Hapësinore të SHBA, Michael Guetlein, është duke udhëhequr diskutimet për të përcaktuar nëse SpaceX duhet të jetë pronare dhe operatore e pjesës së vet të sistemit. Ndër opsionet e tjera është që qeveria amerikane të mbajë pronësinë dhe të menaxhojë operacionet përmes kontraktorëve.
Pentagoni ka pranuar interesimin e mbi 180 kompanive që dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e “Kupës së Artë”. Zëvendësshefi i Pentagonit, Steve Feinberg, do të marrë vendimin përfundimtar për këtë projekt ambicioz.
Disa ekspertë e vlerësojnë koston totale të projektit në qindra miliarda dollarë. Ndërkohë, afatet kohore për dorëzimin e kapaciteteve fillojnë nga viti 2026 deri pas vitit 2030. Sipas SpaceX, projektimi dhe inxhinierimi fillestar i pjesës së saj do të kushtojë nga 6 deri në 10 miliardë dollarë.