Live

Fahrije Hoti mbështet marshin për drejtësi për krerët e UÇK-së

16:27 / 19 Mars 2023

Nga Kosova Live

Fahrije Hoti nga organizata gratë e Krushës ka dalë në mbështetje të marshit për drejtësi të cilin e ka ftuar platforma Liria Ka Emër më 2 prill në ora 14:00 në Prishtinë për t’u solidarizuar me krerët e UÇK-së një ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Hagë.

“Ka 24 vjet që unë, së bashku me shumë gra të tjera të Krushës e të Kosovës, jo vetëm që kemi humbur më të dashurit tanë – por nuk dijmë asgjë për fatin e tyre. Djemtë, burrat, baballarët tanë, mungojnë dhe askush nga ish-sistemi gjenocidal serb nuk ka dhënë llogari”, ka shkruar Hoti në faqen e saj në Facebook.

Ajo ka kujtuar se janë mbi 1600 shqiptarë të Kosovës që figurojnë akoma të zhdukur si pasojë e atij sistemi, derisa, fatkeqësisht, të vetmit që po ballafaqohen me drejtësinë sot janë ata të cilët luftuan për çlirimin e vendit të tyre.

“Prandaj, unë së bashku me të gjitha gratë e Krushës e të Kosovës, më 2 prill do t’i bashkohemi marshit për drejtësi në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë. E mirëpres dhe mbështes këtë iniciativë “Liria Ka Emër”. Të marshojmë së bashku për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, tha Hoti.

Shpërndaje në

U Kopjua