Live

Fillon java e Bibliotekës në Kosovë, Kurti e Osmani e prenë shiritin e nisjes

12:50 / 23 Maj 2023

Nga Kosova Live

Nga 22 deri më 28 maj, do të mbahet edicioni i 20-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë, që këtë vit ka temën: “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”.

Gjatë kësaj periudhe po organizohen aktivitete në bibliotekat e të qyteteve të Kosovës, ekspozita, aktivitete shkencore e letrare, sesione informuese, debate, video-ligjërime, dhe aktivitete të dhurimit të fondeve të ndryshme të librave.

Në hapjen e edicionit jubilar morën pjesë personalitete të shumta, ndër ta edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Bardh Rugova, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, djali i shkrimtarit Adem Demaçi, Shqiptar Demaçi, zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, Feim Hoxha, dhe shumë figura tjera të rëndësishme të bibliotekarisë dhe botimeve të librit.

Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë, është hapur edhe biblioteka e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe shkrimtarit të mirënjohur, Adem Demaçi, të cilën në një ceremoni të organizuar, e hapën kryeministri Kurti, zëvendësministrja Osmani dhe nipi i Adem Demaçit.

Java e Bibliotekës në Kosovë është një organizim që i përfshin të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe është duke u mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Shpërndaje në

U Kopjua