Adem Demaçi
Populli ynë gjendet para një kërcimi të madh dialektik. Tash ka ardhur koha që ai me heroizmin e vet, të cilin e tregoi tërë kohën e ekzistencës së vet, për shkak se janë mbledhur shumë faktorë sasiorë brenda tij, pra ka ardhur koha që të krijojmë vepra edhe më të mëdha; ka ardhur koha që ta ndryshojë edhe vetveten – ta bëjë një kërcim që të jetë shembull për tërë botën.Në këtë vazhdë kam dëshirë që t’i them disa fjalë rreth disa sjelljeve që shihen aty-këtu te ne. Unë kërkoj ndjesë nga të gjithë simpatizantët e mi, nga të gjithë ata që në një mënyrë ose në një tjetër më duan (më vjen mirë shumë edhe jam fort i kënaqur nëse kam bërë diçka që ta meritoj dashurinë e tyre, që ta meritoj respektin e tyre), mirëpo ka ardhur koha që ta përdorim atë fjalën e urtë shkodrane: Gjella me kripë, mirëpo edhe kripa me karar! Edhe dashuria, edhe simpatia ndaj njerëzve duhet të jetë me karar. Nuk dua të flas për të tjerët. Për veten time kam të drejtë të them ndonjë fjalë. Nuk më vjen mirë aspak kur dëgjoj të më thonë: jo hero i popullit; jo meqë të kemi Ty, ne nuk mërzitemi; të kemi yll e të kemi kështu e të kemi ashtu; disa fjalë që shkruhen, disa kalendarë që dalin pak si të shpeshtë me këto fotografitë e mia; disa lavde që bëhen aty-këtu nëpër mitingje të ndryshme këtu e jashtë vendit… Nuk e ndiej veten mirë kur e shoh se është incizuar ndonjë këngë në këta shiritat e shumtë që shiten nëpër tregje. Me këtë rast dëshiroj t’i them disa fjalë dhe prapë kërkoj ndjesë nga të gjithë ata që kanë qëllime të mira, kanë mendime të mira. Nuk ua mohoj se shumica e tyre kanë mendime të mira, mirëpo duhet të kemi kujdes, derisa është koha, që të mos na ndodhin gabime të cilat mund të na sjellin pasoja të padëshirueshme. Lexuesi im i nderuar duhet ta dijë se nuk jam nga ata njerëzit që janë fort-fort modestë. Se njerëzit modestë nuk futen bungajave në të cilat jam futur unë. Mirëpo të jesh modest është diçka tjetër e të jesh modest e t’ia dish vetes vlerën objektive është prapë diçka tjetër, kurse të jesh mendjemadh është krejt diçka tjetër! E pikërisht nga këto sjellje të shumta që shihen aty-këtu mund të ndodhë që njeriu të mashtrohet, t`i shtirret ai filtri i arsyes dhe të largohet nga ajo masa reale objektive. Pikërisht për këtë jam i mendimit që derisa të jemi gjallë nuk është në rregull që as të këndohen këngë për ne (flas për veten time, më vjen keq në qoftë se edhe për tjerët mund të vlejë!), as të bëhen lavde tej reales për asnjërin nga ne. Kemi shembuj të shumtë që lavdet, firmat dhe shumë fjalë të mëdha kanë mbetur pa mbulesë. Nuk ka nevojë t’i përmendim shembujt. Dhe ky rrezik mund të vlejë për të gjithë.
Një popull që nuk është i gatshëm të vdesë për lirinë e vet nuk e meriton lirinë
Besoj se një pjesë e rëndësishme e pavarësisë është arritur. Mirëpo njerëzit tanë nuk po janë në gjendje që atë pjesë të pavarësisë ta realizojnë, nuk po janë në gjendje ta vënë në lëvizje atë pjesë të pavarësisë. Sa i përket vetëdijes së shqiptarëve, sa i përket gatishmërisë së tyre, me të gjitha të metat që i përmenda më parë, jemi më përpara se kurdoherë më parë. Ju e dini se përkrahja e faktorit të jashtëm historikisht na ka munguar gjithnjë: 1500 vjet kemi luftuar vetëm, 1500 vjet kemi luftuar kundër gjithë botës dhe si pasojë e saj ende jemi të copëtuar, të pjesëtuar e të ndarë. Sot të gjithë faktorët e jashtëm janë në favor tonin, të gjithë faktorët e jashtëm janë të gatshëm për fitore. Vetëm faktori shqiptar nuk është i gatshëm për fitore. Kjo është një tragjedi e madhe jona dhe vetëm aty qëndron puna: tek organizimi ynë, te gatishmëria e njerëzve që për lirinë e tyre, për të drejtat e tyre, ta japin edhe jetën. Domethënë kërkohet gatishmëria e një numri të madh të njerëzve që të vdesin për lirinë e tyre, sepse është një ligj që thotë: Një popull që nuk është i gatshëm të vdesë për lirinë e vet, nuk mund ta fitojë lirinë e vet e as nuk e meriton lirinë. Këtë punë shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar sa duhet, këtë punë shqiptarët janë duke e marrë me seriozitet të pamjaftueshëm. Një nga shkaqet që robëria jonë po zgjat, edhe pse kushtet e jashtme janë në favor tonin, është që pikërisht njerëzit tanë nuk e kanë kuptuar ende këtë formulë, këtë punë esenciale, ku për të qenë i lirë njeriu duhet të vendosë që të vdesë. Kjo mund të duket kontradiktore, por është një e vërtetë, sepse kemi punë me një armik, i cili në çdo hap, çdo përpjekje tonën që të lirohemi, që të jetojmë dhe të krijojmë kushte për të jetuar në mënyrë dinjitoze, siç jetojnë të tjerët, ai gjithkund na i qet përballë forcën, dhunën, tanket, armatën, policinë dhe çdo gjë tjetër.
Nuk jam për atë që ta nënçmojmë armikun
Realiteti po tregon se armiku është nënçmuar, populli nuk është përgatitur sa duhet për një luftë afatgjatë. Nuk i është thënë popullit se faktori kryesor për zgjidhjen e problemit tonë jemi ne, forca jonë e brendshme. Mendoj se këto janë gabimet që deri tash i kanë bërë partitë tona politike, sepse populli është përgatitur vetëm për një rrugë e nuk i është bërë me dije edhe rruga tjetër. Nuk them se nuk është bërë edhe ndonjë përgatitje, por të gjitha këto deri tash janë të mangëta. Këtu pra qëndron puna, tek organizimi ynë. Popullit është dashur t’i thuhet se në fund të fundit duhet të jemi të gatshëm ta dëshmojmë edhe forcën. Nuk do të thotë të bëjmë luftë, por do të thotë forcë t’i tregojmë pushtuesit se me të gjitha sakrificat e mëdha që duhet t’i bëjmë jemi të gatshëm të vdesim dhe të mos lëshojmë pe për çështjet esenciale, për të cilat jemi përcaktuar si popull. Është dashur që qëllimin tonë ta kristalizojmë mirë dhe të themi kjo është e jona dhe këtu lëshime nuk bëjmë. Nuk bën të lejohet të dilet me opsione të ndryshme nga dita në ditë, sepse atëherë edhe populli hutohet dhe nuk është në gjendje të mobilizohet si duhet. Në anën tjetër, mobilizimi është dashur të orientohet në atë mënyrë që ne të jemi kurdoherë të gatshëm për realizimin e pavarësisë sonë, pavarësisht nga përkrahja e jashtme.
(Marrë nga njëra prej 40 veprave të zgjedhura të Adem Demaçit, të cilat janë duke u përgatitur nga SHBPK-ja, IAP-ja, IHK-ja dhe LSHK-j)
Përgatiti për shtyp: Selatin Novosella