Live

Fjalimi i fundit si kryeministër kanadez, Trudeau fshin lotët: Jam shumë krenar për atë që kemi bërë

19:00 / 10 Mars 2025

Nga Kosova Live

Justin Trudeau fshiu lotët nga fytyra e tij gjatë një prej fjalimeve të tij të fundit si kryeministër kanadez.

“Jam shumë krenar për atë që kemi bërë në 10 vitet e fundit. Por sonte ka të bëjë me të ardhmen tonë si parti, si vend”, tha Trudeau.

Vajza e tij Ella-Grace e prezantoi në skenë, tha se sa krenare ishte për të atin dhe bëri shaka se mezi priste ta shihte më pak në rrjetet sociale.

Trudeau, dukshëm emocional, fshiu lotët përpara se t’i drejtohej turmës, transmeton Telegrafi.

Në fjalën e tij, Trudeau paralajmëroi për sfidat përpara, veçanërisht ato që dalin nga marrëdhëniet SHBA-Kanada.

“Ne do të veprojmë diplomatikisht kur të jetë e mundur, por do të luftojmë kur duhet”, tha ai.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të partisë që të qëndrojnë të përkushtuar.

“Vendi juaj ka nevojë për ju ndoshta më shumë se kurrë. Dhe nuk kam dyshim se do t’i përgjigjeni thirrjes sepse tashmë e keni bërë këtë”, tha ai.

“Demokracia nuk është një gjë e dhënë, liria nuk është një gjë e dhënë, madje edhe Kanadaja nuk është një gjë e dhënë”, shtoi ai.

Këto vlera, tha ai, kërkojnë vigjilencë, guxim dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Trudeau njoftoi në janar se do të tërhiqej pas më shumë se nëntë vjetësh në pushtet pasi popullariteti i tij ra ndjeshëm, duke i detyruar liberalët të zhvillojnë shpejt zgjedhjet e brendshme të partisë për një udhëheqës të ri.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Mark Carney ka fituar garën për të udhëhequr Partinë Liberale në pushtet të Kanadasë dhe do të pasojë Trudeau si kryeministër.

Carney do të marrë detyrën në një kohë të trazuar për Kanadanë, e cila është në mes të një lufte tregtare me SHBA-në nën presidentin Donald Trump dhe së shpejti duhet të mbajë zgjedhje të përgjithshme.

Shpërndaje në

U Kopjua