Live

Gazeta gjermane: Politikat e Kurtit, në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit!

18:16 / 05 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Një prej gazetave më të njohura gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung hedh hije të forta dyshimi në një artikull të saj lidhur me lëvizjet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u fajësua nga perëndimi se i hodhi benzinë zjarrit në veri të vendit me përpjekjen për të kontrolluar përmes policisë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat komunale atje.

Shkrimi i përgatitur nga Michael Martens, i cili e pati intervistuar Kurtin para disa muajsh, konsiderohet mjaft i rëndë, e kjo shihet që tek titulli: “Kush po bën lojë të gabuar në Kosovë?”

“Politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit”, ka shkruar mes të tjerash Martens, në një pohim mjaft të ashpër, të cilin tenton ta argumentojë duke treguar sesi një konflikt i ri në ‘oborrin ’ e Europës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit aktualisht.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të përdor gjithë pushtetin e tij për të siguruar monopolin e shtetit në përdorim të dhunës në veri. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë një gjë të tillë, dhe ka qenë goxha e suksesshme deri tani. Megjithatë, Kurti, në mënyrë të panevojshme, po ia bën të gjithë këtë mjaft të lehtë”, theksohet në shkrim.

Autori përmend marrëveshjen e vitit 2013, që parashikon edhe krijimin e Asociacionit përveç integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës. Ai mendon se Kurti po e pengon krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë me “arsyetime pjesërisht të dobëta”.

“Përveç faktit që enklavat serbe në jug, të rrethuara nga vendbanime shqiptare, nuk mund të shkëputeshin lehtë nga pjesa tjetër e Kosovës, vetë qeveria kosovare ka fuqinë t’ia heqë lehtësisht këtë instrument Vuçiçit. Modelet e një Asociacioni sigurisht që janë të imagjinueshme e ato do t’i mundësonin pakicës serbe të vetëqeverisej në masë të madhe pa rrezikuar shtetin Kosovar”, argumenton Martens.

Sipas tij, duke e refuzuar edhe vetë idenë e një Asociacioni serb të komunave, Kurti po ia bën më të lehtë planin Vuçiçit për destabilizimin e Kosovës dhe për t`ia hedhur fajin Prishtinës për një gjë të tillë. “Kjo nuk është në interes të Kosovës, dhe as të Perëndimit”, shkruan ai.

Shpërndaje në

U Kopjua