Live

Gërxhaliu: Mjerim që Kosova ka rezervat më të mëdha të thengjillit në Evropë, por varet nga importi i rrymës

16:17 / 29 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ngriti alarmin për gjendjen e rëndë të sektorit energjetik në vend, duke e cilësuar si një humbje të madhe strategjike për Kosovën dhe një pasqyrë të mjerimit të politikës ekonomike.

Gërxhaliu tha se Kosova ka humbur moti betejën për energjinë elektrike si pasojë e mungesës së investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe varësisë nga tregjet e jashtme.

“Beteja për energji elektrike në Kosovë është humbur moti përballë fuqive që dominojnë në tregun rajonal dhe evropian. Vetë fakti që kjo fuqi e dominimit në tregtinë e energjisë elektrike ka pasur ndikim që në Kosovë të mos ketë investime në kapacitete prodhuese të energjisë elektrike është e para. Në aspektin psikologjik është vërtet shqetësuese që Kosova edhe sot i ka kapacitetet e ndërtuara për prodhim të energjisë elektrike nga Jugosllavia e Titos nga vitet ‘60-‘70 dhe 26 vjet pas çlirimit nuk kemi arritur të investojmë në kapacitete të reja prodhuese”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, Kosova është ndër vendet më të pasura në Evropë për rezervat e thëngjillit, por çuditërisht importon energji, derisa kapacitetet ekzistuese janë të vjetruara dhe jofunksionale për kërkesat moderne.

“Kosova është shteti i dytë më i pasur me rezerva të thëngjillit në Evropë, i katërti në botë dhe jemi ata që varemi edhe më tutje nga importi i energjisë elektrike. Kjo me të vërtetë po i bën prodhimet dhe shërbimet ‘Made in Kosova’ jo konkurruese dhe nuk duhet habitur që avazi i tkurrjes së eksporteve ka filluar dhe do të vazhdojë”, tha ai.

Ai kritikon politikat e gabuara dhe mungesën e vizionit për orientimin drejt prodhimit vendor si faktorë që po dëmtojnë ekonominë e vendit.

“Kur nuk je i orientuar në prodhimin vendor dhe varesh nga tregu i jashtëm apo nga bursa ndërkombëtare nuk ke fuqi që të kontrollosh dhe të monitorosh çmimin. Ne tani jemi në një fazë kur edhe gjatë muajve të verës importojmë energji, me vlerë deri në 600 mijë euro në ditë dhe rreth 50 mijë euro paguhen vetëm për transport”, shtoi Gërxhaliu.

Duke përmendur rregulloren e re të BE-së për taksën e karbonit që pritet të hyjë në fuqi në janar, ai paralajmëron se çmimet e energjisë do të rriten edhe më tej.

Gërxhaliu thotë se mungesa e transparencës dhe orientimi drejt importit e kanë shndërruar Kosovën në një konsumator të varur e të pafuqishëm dhe nëse nuk ndryshohet kursi energjetik, pasojat do të jenë afatgjata dhe të dëmshme për të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Nga janari do të jemi pjesë e miratimit të një rregullore të BE-së për taksën e karbonit. E tëra kjo, dashur e pa dashur, do të ndikojë në ngritjen e çmimit. Prandaj besoj që duhet të avancohet dialogu, të mendohet për investim në kapacitete të reja prodhuese, të eliminohet burokracia dhe sektori i energjetikës të depolitizohet. Sepse, sot është në duar shumë më tepër të politikës dhe të tregtarëve sesa të interesit të shtetit, qytetarëve dhe biznesit”, tha për EO, Gërxhaliu.

Shpërndaje në

U Kopjua