Live

Gjatë largimit nga Kosova, senatorit Murphy i bie në sy tymi i Obiliqit në Aeroport: Duhet të investojmë

10:21 / 23 Maj 2023

Nga Kosova Live

Senatori amerikan, Chris Murphy, që gjatë së hënës ka qëndruar në Kosovë, sot është nisur për në Shqipëri.

Ai ka bërë një video nga aeroporti i Prishtinës për të treguar nivelin e ndotjes së ajrit dhe nevojën për të investuar në këtë drejtim.

“Ju mund të shihni tymin në aeroportin e Prishtinës”, thotë ai në këtë video.
“Një ndër projektet që është duke zhvilluar është që të ndihmojmë Kosovën për të investuar në energji solare”, shprehet Murphy.

Ai tha se ky rajon është i rëndësishëm për SHBA-në dhe se fokusi i tyre u kthye gjatë të 90-ve për shkak të konflikteve.

“Këto tensione vazhdojnë të jenë dhe kjo ka kuptim për ne që të investojmë për të ruajtur paqen këtu”.

Murphy tha se ndalesën e dytë pas Kosovës, do ta kenë në Shqipëri dhe më pas edhe në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut.

Murphy po qëndron në rajon, bashkë me senatorin tjetër amerikan, Gary Peters. Që të dy gjatë qëndrimit dje në Kosovë kanë pasur takime me krerët e shtetit.

Ata thanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të pajtohen kurrë me ndonjë lëshim apo hap të ndërmarrë nga Kosova që do të rrezikonte sigurinë dhe të ardhmen e saj referuar diskutimeve rreth Asociacionit të Komunave me shumice Serbe .

Por, të dy kërkuan si prej Kosovës ashtu edhe prej Serbisë që të bëjnë hapa njëkohësisht ne zbatimin e ujdive të arritura së fundmi në Bruksel e në Ohër.

Murphy që është edhe pjese e Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme deklaroi se pasojat e moszbatimit të marrëveshjes do te afektojnë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe në mos integrimin në NATO.

Sipas tij këto mund të jenë ndër pasojat që do të prekin edhe qytetarët si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi nëse liderët e të dyja vendeve nuk bëjnë zgjidhje të vështira politike, por qe janë të nevojshme për të arritur fillimisht normalizimin dhe më pas njohjen reciproke.

Shpërndaje në

U Kopjua