Gjatë kryerjes së disa punimeve në lokacionin te Penda e fshatit Livoq i Epërm në Gjilan, janë gjetur eshtra që dyshohet se mund t’i përkasin njerëzve.
Rastin e ka raportuar një zyrtar i Shërbimeve Publike Komunale në Gjilan, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë siguruar zonën, njofton Klankosova.tv.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa gjatë ditës së sotme njësitë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat hetimore për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për mbetje njerëzore dhe rrethanat e mundshme të gjetjes së tyre.
Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.