Live

Gjykata rrëzon kërkesën e Veliajt për kthimin e telefonit të sekuestruar

16:01 / 04 Mars 2025

Nga Kosova Live

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për kthimin e celularit të sekuestruar gjatë arrestimit të tij në zyrën e Bashkisë, në datën 10 shkurt.

Vendimi u mor nga gjyqtari i Posaçëm, Erion Bani.

Pajisja elektronike i është sekuestruar Veliajt nga agjentët e BKH në momentin e arrestimit më 10 shkurt, por kryebashkiaku pretendon se veprimi është i paligjshëm, raporton A2CNN.

Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK pasi po hetohet për korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.

Po ashtu fillimisht për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxën u vendos masa e ‘arrestit në shtëpi’, por më pas GJKKO vendosi që kjo masë të lehtësohej në ‘detyrim paraqitje’.

Kjo masë është dhënë edhe për disa biznesmenë, të cilët sipas SPAK kanë kryer korrupsion aktiv.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës në disa postime në rrjetet sociale është shprehur se është i pafajshëm dhe se arrestimi i tij është i paligjshëm, me qëllim për ta goditur politikisht.

Shpërndaje në

U Kopjua