Nën organizimin e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, në Kosovë është përkujtuar sot trevjetori i fillimit të luftës në Ukrainë.
Gjatë adresimit në këtë ngjarje, Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut dhe të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
“Situata në Kosovë nuk mund të ndahet nga tabloja më e gjerë e sigurisë të kontinentit tonë. Prandaj, ftoj Kosovën që të prioritizojë koordinimin dhe dialogun për hir të shtetit të tyre dhe gjithë kontinentit”, tha ambasadori francez, përcjell REL.
Duke folur për trevjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, Guerot tha se lufta për lirinë e Ukrainës, është luftë për sigurinë e Evropës.
“Kjo luftë ka rëndësi të madhe për sigurinë e Evropës. E ardhmja e sigurisë së kontinentit tonë, dhe e rregullit ndërkombëtar është në rrezik sepse Rusia mund të mos ndalet aty nëse Ukraina do të dorëzohet. Prandaj duhet të vazhdohet mbështetja për Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht”, tha ai.
Ai tha se ditëve të fundit janë intensifikuar diskutimet për paqe në Ukrainë, por paralajmëroi se nuk mund të ketë bisedime për Ukrainën, pa Ukrainën, dhe nuk mund të ketë bisedime për sigurinë evropiane, pa evropianët.
“Një armëpushim pa garanci të sigurisë [për Ukrainën ]do të ishte e rrezikshme. Ne duam një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë, jo një armëpushim të brishtë”, tha ambasadori Guerot, teksa bëri thirrje për rritjen e kapaciteteve dhe shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë.