Live

Hamiti: VV po sundon në kundërshtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës, në kundërshtim me rendin demokratik

18:00 / 17 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se aktualisht Kosova është në një gjendje të paralizës shoqërore dhe politike, ku ka stagnuar zhvillimi ekonomik dhe ku po lulëzon korrupsioni e po rritet varfëria, si rezultat i Qeverisë Kurti.

Hamiti thotë se përballë kësaj gjendjeje, presidentja dhe kryeministri në largim, po sillen sit ë jetë një gjendje normale.

“S’mund të presësh që formacioni politik që i ka dhënë tatëpjetën Kosovës – Lëvizja e popullit, siç po mbiquhet Vetëvendosja e Albin Kurtit – ta nxjerrë vendin nga kriza, aq më pak ta çojë përpara Kosovën në ndonjë fushë. Kosova është nën sanksione ndërkombëtare për fajin e tyre tash e dy vjet. “, ka shkruar Hamiti.

Ai në një reagim në ‘facebook’ thotë se VV dhe satelitët e saj hyn në zgjedhje të 9 shkurtit pa program dhe morën 42 %, duke denigruar partitë rivale.

“Kaq u mjaftoi në sytë e përkrahësve të vet. Me këtë rezultat që, për cilindo formacion tjetër politik të përgjegjshëm, do të ishte i shkëlqyeshëm, këta s’po ia dalin (apo s’po duan) as ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Kandidatura e dështuar për kryetare të Kuvendit rrafsh 33 herë deri sot duket se e ka qëllim moskonstituimin. Po qeverisin, më saktë po sundojnë në kundërshtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës, në kundërshtim me rendin demokratik. E kanë zaptuar pushtetin. Po e përbuzin shtetin e Kosovës”, ka shtuar Hamiti.

Në fund, ai thotë se refuzimi qytetar “ I përbuzësve të shtetit është parakusht për dalje prej paralizës së përgjithshme që e ka kapluar Kosovën”

Shpërndaje në

U Kopjua