Live

Haradinaj përuron lapidarin e Dëshmorëve dhe Martirëve në Pejë: E shenjtë është liria në këtë tokë

13:52 / 05 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në Ditën e Dëshmorëve qëndroi në Zahaq të Pejës, për të përuruar lapidarin e të Dëshmorëve dhe Martirëve, ku nderoi 138 dëshmorët e Pejës dhe të gjithë ata që ranë për liri dhe dinjitet kombëtar.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se liria në Kosovë është e shenjtë dhe do të jetojë për aq kohë që i qëndrojnë besnikë gjakut të derdhur për të, transmeton Klankosova.tv.

“Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, pata nderin të jem në Zahaq të Pejës, në përurimin e lapidarit të Dëshmorëve dhe Martirëve, ku nderuam 138 dëshmorët e Pejës dhe të gjithë ata që ranë për liri dhe dinjitet kombëtar, në të gjitha trevat dhe etapat e historisë sonë.  Sa më shumë afrohej liria, aq më shumë shtohej intensiteti i luftës ndaj okupatorit. Në rrethinën e Istogut, trimat e Ushtrisë Çlirimtare luftonin deri në vetëmohim, duke i dhënë goditjet e fundit armikut. Po në këtë datë, 5 Maj 1999, në altarin e lirisë ra edhe Muharrem Vuthaj nga Vrella, një luftëtar që mishëronte vlerat më të larta të trimërisë dhe dashurisë për atdheun”.

“Liria në këtë tokë është e shenjtë dhe do të jetojë për aq kohë sa ne i qëndrojmë besnikë gjakut të derdhur për të. Heroizmi dhe sakrifica e Dëshmorëve të Kombit do të jenë gjithmonë udhërrëfyes në shtetndërtimin tonë dhe në forcimin e faktorit shqiptar si garantues i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, ka shkruar i pari i AAK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua