Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka rekomanduar KQZ-së ta heq “matrikulimin e votuesve”.
Në këtë mënyrë, është konfirmuar raportimi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po rrezikon të shkelë Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtën për privatësi të qytetarëve, duke i ndarë në “votues” dhe “jo-votues”.
Rekomandimi i institucionit zyrtar që merret me mbrojtjen e privatësisë, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, i kërkon KQZ-së gjatë procesit të votimit të merr në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor.
Sipas letrës që e ka siguruar gazeta, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i ka rekomanduar KQZ-së që të mos vazhdojë me rrugën e nisur që në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës t’i identifikojë qytetarët që marrin pjesë në votim duke u bërë shenjë me marker në gishtërinjë.
“Rrjedhimisht nga kjo që u tha më lartë, pa anashkaluar mundësitë e interpretimeve që ka në kompetencë Gjykata Kushtetuese apo edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, gjithherë mbi bazën e autorizimeve ligjore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ju këshillojmë që të rishikoni përdorimin e ngjyrës matrikuluese gjatë procesit të votimit dhe të merrni në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor, duke garantuar mbrojtje të të dhënave personale dhe privatësisë së votuesve”, thuhet në rekomandimin e AIP-së.

Ndër të tjera, në rekomandim thuhet se shënjimit me ngjyrë matrikuluese është praktikë e kritkueshme edhe në vende ku zbatohet.
AIP-ja përmend edhe vendet që e zbatojnë këtë praktikë.
“Praktika e shënjimit me ngjyrë matrikuluese (të dukshme) është aplikuar apo edhe vazhdon të aplikohet në vendet si: Afganistani, Algjeria, Bahamas, Kamboxhia, Egjipti, India, Nigeria, Peruja, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela, Meksika etj., përderisa e njëjta praktikë është kritikuar për shkak të mundësisë së shkeljes së privatësisë dhe ekspozimit të votuesve ndaj presionit social ose politik”, thuhet tutje në rekomandim.

Çka ishte raportuar?
Muaj më parë, gazeta nacionale kishte raportuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po rrezikon të prishë praktiken e mirë të organizimit të zgjedhjeve në vend. Kjo pasi KQZ-ja kishte marrë vendim për zëvendësimin e ngjyrës së padukshme të sprejit me ngjyrën matrikuluese për qytetarët që votojnë. Një vendim i tillë po konsiderohet si cenimi i të drejtave të njeriut dhe shkelje Kushtetutës, raporton Nacionale.
Deri më tani çdo votues që ka votuar ditën e zgjedhjeve i është hedhur sprej në gishtin e tij tregues, por kështu nuk do të jetë në zgjedhjet e ardhshme.
Spreji është vërejtur vetëm pasi gishtërninjtë i janë nënshtruar kontrollit të llampës ultravjollcë dhe jo me shikim të lirë.
Me vendimin e ri KQZ-ja ka vendosur që votuesit t`i bëj me shenjë.
Në këtë mënyrë, votuesve me anë të markerit do t’i bëhet një shenjë në gishtin tregues, e cila nuk do të hiqet lehtë.
KQZ e ka quajtur këtë si “ngjyrë matrikuluese”.
Kjo shenjë rrezikon që të mos largohet nga gishtërinjtë për të paktën dy ditë.
Kështu lehtësisht do të identifikohen qytetarët që kanë votuar dhe ata që nuk kanë votuar.
Identifikimi i qytetarëve si votues apo si jo votues, rrezikon ta shndërrojë KQZ-në në institucion që rrezikon të shkel të drejtën e privatësisë.
Madje, kjo rrezikon të bije ndesh edhe me Kushtetetutën e Kosovës. Në nenin 45 të Kushtetutës specifikohet qartë kjo çështje.
“Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”, thuhet në piken 2 të nenit 45 të Kushtetutës.
Ndonëse një praktikë e tillë nuk aplikohet një asnjë vend të Bashkimit Evropian, zyrtarët e KQZ-së janë munduar ta arsyetojnë një gjë të tillë.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se kjo praktik ekziston në Shqipëri.
Sipas tij, kjo është metodë më ekonomike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përdorë ngjyrën matrikuluese për identifikimin e votuesve, në qoftë se ka votuar apo jo, por edhe për t’i shënjuar ata në momentin që hyjnë në vendvotim. Dihet që në proceset e deritanishme është përdorur spreji dhe llampat, pra ka qenë një operacion më i madh për KQZ-në, pra është dashur të blihen llampat, bateritë, bateritë rezervë, spreji dhe pallomat. Duke e ditur gjithë këtë operacion, ne e kemi reduktuar vetëm në ngjyrën matrikuluese. Është shenjë që dallohet, pra është në formë markeri, ku kjo gjë praktikohet në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Vërehet edhe nga largësia, me sy të lirë, vërehet nëse një person ka votuar ose nuk ka votuar”, ka thënë Elshani, sipas Ekonomia Online.
Ndaj vendimit të KQZ-së kanë reaguar edhe shoqëria civile. Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me vendimin e KQZ-së.