Live

Hill: Të gjithë e dënojmë vrasjen e policit, por procesi politik duhet të vazhdojë

13:40 / 26 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha sot në Beograd se përshkallëzimi i dhunës në Banjskë të Kosovës është “ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapat e mëtejshëm.

Ai ka deklaruar se po zhvillohen procese për të inkurajuar dialogun.

“Ne të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës dhe gjithmonë mbajmë zi për humbjen e jetëve, por duhet të vazhdojmë me procesin politik. Po zhvillohen procese për të inkurajuar dialogun”, tha Hill, shkruan Danas.rs.

Hill tha gjithashtu se procesi diplomatik duhet të forcohet në ditët dhe javët në vijim.

“Kjo situatë po trajtohet shumë seriozisht dhe po zhvillohen diskutime të shumta se çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmerren”, tha ai.

Në përkrahje të sulmuesve të vrarë, Serbia ka shpallur ditë zie sot, ndërkaq Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Të hënën në Banjskë të Zveçanit nga sulmues serbë, është vrarë një polic i Kosovës dhe janë plagosur tre. Gjithashtu janë vrarë katër sulmues serbë.

Sot, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video në rrjetet sociale të martën, në të cilën, sipas tij, shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Sveçla në përshkrimin e videos në Facebook.

Shpërndaje në

U Kopjua