Ani pse i kishin finalizuar punimet për rregullimin e sporteleve dhe inventarizimit, komuna e Shpejtim Bulliqit pas tre muajve ka nënshkruar kontratë të negociuar me kompaninë e njëjtë për punime shtesë rreth renovimit të hapësirave në katin e parë të komunës, ku ofrohen shërbime për qytetarë. Opozita në Podujevë ngrehin dyshime se kontrata e dytë i është dhënë operatorit ekonomik që të tërhiqet nga ankesa për tenderin e ndërtimit të shkollës ekonomike, i cili është pezulluar nga Gjykata Komerciale. Gazeta Insajderi ju sjell detajet.
Komuna e Podujevës me 21 mars të vitit 2024 kishte nënshkruar kontratën për “rregullimin e sporteleve dhe inventarizmit”.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate ishte 49 mijë euro.
Fitues i këtij tenderi ishte zgjedhur kompania “ARAD 94 ” SH.P.K.”.
Me 29 maj komuna e Podujevës, në profilin zyrtar kishte njoftuar se i kanë finalizuar punimet për renovimin e hapësirave të administratës komunale në katin përdhesë.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët se ka përfunduar renovimi i hapësirave të administratës komunale në katin përdhesë. Nga tani e tutje, një zyrtar nga çdo drejtori do të qëndrojë në katin përdhesë për t’iu ofruar qytetarëve shërbimet e nevojshme, si dhe për t’iu ndihmuar në çdo kërkesë ose pyetje që kanë”, thuhej në njoftim.
Mirëpo, përkundër se u përuruan punimet në këtë pjesë, komuna ka jap sërish tender, me kontratë të negociuar, për ‘rregullimin e sporteleve dhe inventarizmit, punë shtesë”.
Mirëpo, përkundër se u përuruan punimet në këtë pjesë, komuna ka jap sërish tender, me kontratë të negociuar, për ‘rregullimin e sporteleve dhe inventarizmit, punë shtesë”.
Edhe për punët shtesë fituese u zgjodh kompania “ARAD 94 ” SH.P.K. Vlera e kësaj kontrate është 4885.20 euro.
Lidhur me këtë tender, ka reaguar asamblisti i opozitës në Podujevë, Ekrem Rrahmani. Ai ka hedhur dyshime lidhur me kontratën e dytë, për punët shtesë.
“Kompanisë qe i ka kry punimet gjate verës i jepet kontratë shtesë për punën e njëjte në vjeshte . Pse!? Sepse ishte pale ankuese në projektin për ndërtimin e Shkollës Ekonomike “Isa Boletini” dhe sigurisht drejtori i Administrates i ka bë shërbim për t’u larguar nga ankesa. Ose për t’ia mbuluar shpenzimet”, ka shkruar Rrahmani.
Gazeta Insajderi në qershor të këtij viti ka raportuar lidhur me pezullimin e punimeve të Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë, ‘Isa Boletini’.
Por, edhe pse kishte kompani garuese që ofronin çmim më të lirë, komuna kishte konsideruar që ato nuk i plotësojnë kushtet dhe fitues u zgjodh grupi “Konstruktori ING 1969” & “Flori eng” NGA Prishtina, me vlerë të ofertës 2,565,696.26 euro.
Në muajin gusht të 2023-tës, ishte marrë vendimi për pezullimin e aktivitetit të prokurorimit. Pasi që kompania “Grandelite L.L.L” dhe “Arad 94”, nuk ishin pajtuar me vendimin e Komunës kishin parashtruar ankesë në OSHP. Lënda kishte shkuar në rivlersim.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Podujevës, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.