Live

“I kam lënë 15 milionë euro në konto”, “keqpërdorime të mëdha”, Rizvanolli e Shala përplasen për “Trepçën”

13:08 / 12 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, janë përplasur në seancën e sotme të kuvendit, lidhur me situatën në ndërmarrjen “Trepça”, raporton Ekonomia Online.

Shala e pyeti ministren për gjendjen në këtë ndërmarrje, ndërsa ministrja Rizvanolli tha se “Trepça” është duke prodhuar me një kapacitet në rritje krahasuar me muajt e kaluar. Ajo shtoi se bordi dhe menaxhmenti i ri kanë përpiluar planin për uljen e shpenzimeve, që përfshin edhe largimin nga lista e pagave të punëtorëve që s’janë paraqitur në punë me muaj e vite.

“Tani sa po flasim, ‘Trepça’ është duke prodhuar me një kapacitet në rritje krahasuar me muajt e kaluar dhe krahasuar me vitin e kaluar. Janë dyke u bërë përpjekje që të rritet prodhimi në ndërmarrje, duke përfshirë edhe rikthimin e punëtorëve që po risistemohen në njësinë e prodhimit…Shpenzimet mujore të ndërmarrjes arrijnë 1.5 milionë euro, ku 1 milion janë shpenzime për paga….Bordi dhe menaxhmenti i ri ka përpiluar një plan për muajt në vijim i cili në njërën anë synon uljen e shpenzimeve. Një mënyrë që kjo po bëhet është edhe duke larguar nga listat e pagave punëtorë të cilët është kuptuar që s’kanë qenë në punë me muaj e vite por që janë paguar nga ‘Trepça’. Mirëpo, edhe duke marrë masa disiplinore për shkelje të detyrave, duke përfshirë këtu edhe raste për dyshime në manipulime ne tënder dhe keqpërdorime të detyrës”, deklaroi Rizvanolli.

Shala u ankua se ministrja nuk i ktheu përgjigje në të gjitha pyetjet që ia parashtroi, derisa tha se ai kur ka qenë ministër ka lënë 15 milionë euro “cash” në kontot e “Trepçës”.

“Ju e dini që unë e kam lanë atje me 15 milionë euro kesh në kontot e ‘Trepçës’”, tha Shala.

Rizvanolli iu kundërpërgjigj ku tha se nëse Shala e ka fjalën për milionët nga shitja e mbetjeve, si qeveri nuk e kanë synim, meqë siç tha ende flitet për çmimin e lirë me të cilin janë shitur dhe dyshimet për keqpërdorime.

“Sa i përket 15 milionëve që i keni lënë në konto po besoj që këto kanë qenë nga shitja e mbetjeve, dicka për të cilën ende flitet në ‘Trepçë’ dhe jo vetëm për çmimin e lirë me të cilin janë shitur dhe për të cilin besohet dhe të gjithë thonë që ka pas keqpërdorime jashtëzakonisht të mëdha. Nëse po i referoheni 15 milionëve që i keni lënë nga kjo shitje, atëherë kjo nuk ështyë diçka që ne e synojmë”, deklaroi ministrja.

Shala ia sqaroi se nuk e ka fjalën për mjetet nga shitja, duke i sqaruar se këto mjete kanë mbetur në AKP, derisa tha se janë mjete nga prodhimi e investimet kapitale.

“Jo, ministre e ki gabim. Mjetet që i kam lënë nga mbetjet kanë mbetë në AKP dhe ju i menaxhoni dhe i dini saktë, është e pavërtetë. Unë i kam lënë mjetet nga prodhimi, nga investimet kapitale. Asnjë makinë prodhuese nga ardhja juaj nuk e keni pru. Kam lënë 6 milionë euro makina të reja në treg, kam lënë dyfishimin e pagave, unë kam lënë eksportet më të mëdha që ka pas ndonjëherë. Ty po të dhimben mbetjet e ish-Jugosllavisë, por ti ke mbet në atë konturë”, tha Shala.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...