Live

“I kemi parë raportet”, DASH është i njoftuar për incidentin me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit

10:35 / 08 Gusht 2024

Nga Kosova Live

“Ne i kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë gjatë vazhdimit të hetimeve…”.

Kështu tha Departamenti i Shtetit për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase, i pyetur nëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duhet të mbajë përgjegjësi politike për incidentin në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani javën e kaluar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.

“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”, u tha në reagimin e Ministrisë. Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.

Sipas Ministrisë, në të njëjtën kohë polici ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare dhe është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të hënën tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.

Gjatë një konference për media, pas takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa shtoi se dy shtetet kanë raporte të mira.

Kryeministri maqedonas tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë “deri në momentin kur të largohet”.

Ai po ashtu tha se autoritetet e Aeroportit në Shkup aplikojnë masa standarde të sigurisë, sa i përket fluturimeve komerciale. 

Shpërndaje në

U Kopjua