Live

IKD: Katër institucione të pavarura janë jofunksionale, Kuvendi i bllokuar po rrezikon shtetin

09:40 / 13 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, ka ngritur alarmin për pasojat serioze që po shkakton moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se bllokada institucionale ka lënë 17 agjenci dhe institucione të pavarura me përbërje të paplotë, ndërsa katër prej tyre janë tashmë jofunksionale për shkak të mungesës së kuorumit, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në zbatimin e ligjeve dhe në vonimin e reformave të rëndësishme që presin mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“Realisht, mosfunksionimi i Kuvendit nuk ka pasoja vetëm përbrenda Kuvendit. Ka pasoja të gjera në shumë fusha. Krahas aspekteve të tjera, të cilat vetëm i kemi përmend, që aktualisht nuk ka një qeveri të rregullt, nuk ka një qeveri, e cila mbikëqyret nga ana e Kuvendit, nuk ka një qeveri, e cila i raporton Kuvendit, nuk ka një Kuvend, i cili miraton ligje. Ka edhe një sërë pasojash të tjera specifike edhe në institucione të ndryshme të pavarura, në organet e ndryshme kolegjiale, të cilat rrezikojnë mosfunksionimin, madje disa edhe nuk janë duke funksionuar për shkak të mungesës së kuorumit, për shkak të pamundësisë së Kuvendit për të zgjedhur anëtarët e rinj”, tha ai.

Shala përmendi rastin e Komisionit të Pavarur për Media, i cili aktualisht nuk është funksional për shkak të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur anëtarët e rinj si dhe bordin e ankesave brenda këtij komisioni. Sipas tij, kjo situatë po cenon drejtpërdrejt zbatimin e ligjeve dhe të drejtave të qytetarëve.

“Po ashtu edhe institucione të tjera që në shumë raste mungojnë anëtarët e zgjedhur, në disa raste të tjera janë plotësisht jofunksionale për shkak të moszgjedhjes nga Kuvendi. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe në moszbatim adekuat të ligjeve, edhe në cenim të të drejtave të qytetarëve, të cilët marrin shërbime të ndryshme nga ana e këtyre institucioneve”, tha Shala.

Ai vlerësoi se përfaqësimi i qytetarëve po mungon në Kuvend dhe se kjo gjendje po ndikon negativisht në miratimin e reformave dhe ligjeve të rëndësishme, përfshirë edhe ndihmën financiare të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

“Ideja është që qytetarët nuk janë duke u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak se deputetët nuk janë duke ushtruar rolin e tyre përfaqësues dhe kjo për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. E dyta, është se në disa sektorë institucionet e pavarura nuk janë duke funksionuar apo janë duke funksionuar në përbërje jo të plotë dhe kjo domosdoshmërisht ndikon më pastaj edhe në zbatimin e ligjit. Janë edhe një sërë çështjesh të tjera, një sërë reformash, të cilat presin miratimin e ligjeve nga ana e Kuvendit dhe që kjo nuk mund të bëhet. Duhet theksuar kështu edhe faktin që janë qindra miliona euro nga partnerët ndërkombëtarë, nga BE-ja e të tjerë, të cilat presin miratimin nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua