Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia, për shkak të temperaturave të larta në vend.
Siç thuhet në njoftim vala e të nxehtit që po dominon këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme.
Sipas IKSHPK-së periudhat e zgjatura me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të akumuluar në trup dhe rrisin rrezikun për sëmundje apo vdekje nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.
“Paaftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar gjatë këtyre periudhave rrit rrezikun për rraskapitje apo goditje nga nxehtësia. Përpjekja e trupit për t’u ftohur shton stresin edhe në zemër dhe veshka”, thuhet në njoftim, raporton Periskopi.
Çfarë veprimesh duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga nxehtësia?
Qëndroni larg të nxehtit
Shmangni daljet jashtë dhe aktivitetet e rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.
Qëndroni në hije. Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10–15 ˚C më të larta.
Kaloni 2–3 orë gjatë ditës në një vend të freskët.
Jini të vetëdijshëm për rreziqet dhe qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare mbi temperaturat e larta.
Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët
Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë duke hapur dritaret në mbrëmje, kur temperatura e jashtme është më e ulët.
Gjatë ditës, kur temperaturat janë më të larta jashtë, mbyllni dritaret dhe mbulojini me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit.
Fikni sa më shumë pajisje elektrike.
Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperatura është nën 40 ˚C.
Nëse përdorni kondicioner, vendosni termostatin në 27 ˚C dhe ndizni një ventilator – kjo e bën ambientin të ndjehet deri në 4 ˚C më i freskët dhe mund të kursejë deri në 70% në faturën e energjisë për ftohje.
Mos harroni se në hije jashtë mund të jetë më freskët se brenda.
Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar
Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe nga pambuku.
Bëni dush ose banjë të freskët.
Lagni lëkurën me një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lagura.
Pini ujë rregullisht – të paktën 1 gotë në orë dhe 2–3 litra në ditë.
Kontaktoni rregullisht me personat e pambrojtur – veçanërisht me të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, aftësi të kufizuara ose që jetojnë vetëm.
Mbroni foshnjat dhe fëmijët
Mos i lini kurrë fëmijët apo kafshët në automjete të parkuara – temperatura rritet shpejt në mënyrë të rrezikshme.
Shmangni ekspozimin direkt në diell nga ora 10:00 deri në 17:00 – qëndroni në hije ose brenda.
Hija mund të ulë ndjesinë e nxehtësisë për më shumë se 10 ˚C.
Mos mbuloni kurrë karrocën e fëmijës me pëlhurë të thatë – kjo rrit temperaturën brenda saj. Përdorni një pëlhurë të lagur, të hollë, dhe freskojeni herë pas here.
Vishni fëmijët me rroba të lehta e të lirshme që mbulojnë lëkurën, përdorni kapele me buzë të gjera, syze dielli dhe krem mbrojtës kundër rrezeve UV.
Ndiqni të gjitha udhëzimet për mbajtjen e shtëpisë së freskët për të ruajtur një temperaturë të sigurt brenda saj.