Live

IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Klinë, dyshohen për rrahje të një qytetari

20:43 / 29 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Klinës.

Në njoftimin e lëshuar nga IPK-ja thuhet se hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime pasi incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët  policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”.

“Në bazë të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar  për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’”, thuhet në njoftim. 

Shpërndaje në

U Kopjua