Ish-prokurori special i Kosovës, Elez Blakaj, i cili kishte hetuar skandalin e listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së dhe më pas ishte detyruar të largohej nga vendi për shkak të kërcënimeve serioze, ka reaguar sërish fuqishëm në një postim të publikuar së fundmi.
Në reagimin e tij, Blakaj ka ngritur shqetësimin për ndikimin e strukturave të vjetra të UDB-së në institucionet e Kosovës, duke paralajmëruar se kjo përbën rrezik serioz për themelet e shtetit, përcjell Periskopi.
“Është bërë normë të flitet për UDB-ashë dhe bashkëpunëtorë të tyre në institucione, por pa asnjë vullnet real për t’i larguar. Për disa prej tyre ka informata të mjaftueshme, por mungon vullneti politik për t’i adresuar”, shkruan Blakaj.
Ai ka kërkuar miratimin e Ligjit për Lustracion, për të pastruar institucionet nga ata që kanë bashkëpunuar me strukturat e sigurimit jugosllav dhe që, sipas tij, edhe sot gëzojnë poste kyçe.
Blakaj ka theksuar se certifikata e sigurisë duhet të jetë kusht për çdo funksion me përgjegjësi shtetërore, përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, pasi vetëm arsimimi apo përvoja nuk janë të mjaftueshme në kushtet aktuale.
Një pjesë e madhe e reagimit të tij i kushtohet procesit të njohjes së veteranëve të UÇK-së, për të cilin Blakaj ka qenë zyrtari kryesor që e ka hetuar vite më parë. Ai ka deklaruar se në këtë proces janë përfshirë persona që kanë qenë të certifikuar si UDB-ashë, madje disa prej tyre e kanë pranuar këtë publikisht, ndërsa sot figurojnë në listat e veteranëve.
“Ky është një dëm i madh për dinjitetin e UÇK-së. Ka emra që kanë torturuar luftëtarë.