Live

Ish-zyrtari ligjor i PTK-së thotë se nuk ka marrë pjesë në nënshkrimin kontratës me Z-Mobile

14:05 / 23 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Ish-zyrtari ligjor në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), Sabaudin Ramaxhiku, ka deklaruar të martën para komisionit hetimor të Kuvendit të  Kosovës se nuk ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës me Z-Mobile, ka raportuar RTK. Ai gjatë intervistimit nga ky komision, tha se edhe parakontrata e nënshkruar nga Adnan Merovci nuk ka qenë obligative që të vazhdohet nga Shyqiri Haxha.

“Parakontrata e nënshkruar nga ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit, Adnan Merovci, nuk ka qenë obligative për kontratë, por ajo  më vonë është nënshkruar nga Shyqiri Haxha”, ka deklaruar në Komisionin hetimor, ish-drejtori ligjor, Sabaudin Ramaxhiku.

Ai më tej ka shtuar se si zyrtar ligjor nuk ka marrë pjesë në nënshkrimin kontratës, derisa si ushtrues detyre i kryeshefit, tha se nuk ka dashur të nënshkruhej kjo kontratë pasi për të ka pasur rezerva.

Po ashtu, Ramaxhiku deklaroi se kontratën me Dardafon-in, tashmë Z-Mobile, e ka parë pas më shumë se 9 muajve. Ramaxhiku deklaroi edhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me Telekomin në kohën sa ai ka qenë drejtor ligjor, mirëpo në shumë pyetje edhe nuk u përgjigj. Për këtë, Armend Zemaj nga LDK tha se komisioni nuk ka marrë aq informata sa ka pritur. Ditëve në vazhdim ky komision pritet ta intervistoj edhe shefin e Kontabilitetit nga Departamenti i Financave, Arben Halilin.

Shpërndaje në

U Kopjua