Live

Jovan Kostadinov kthehet si hero pas shpëtimit të 21 jetëve në tragjedinë e Koçanit

15:47 / 25 Mars 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje heroike ndodhi në Koçan, Maqedoni e Veriut, kur një i ri 19-vjeçar, Jovan Kostadinov, shpëtoi jetën e 21 personave nga zjarri që shpërtheu në diskotekën “Puls”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka shpërndarë lajmin e kthimit në shtëpi të Kostadinovit, duke e përshkruar atë si një simbol të guximit dhe humanizmit.

“Sot, me emocion të thellë dhe krenari të pafund, ndaj me ju lajmin se Jovan Kostadinov, djaloshi trim që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e zjarrit në Koçan, më në fund është kthyer në shtëpi”, ka shkruar në Facebook Taravari.

Jovan, që rrezikoi jetën e tij duke hyrë më shumë se 20 herë në flakë për të shpëtuar të bllokuarit, është vlerësuar për heroizmin e tij.

“Trupi i tij mban plagët e atij heroizmi, por zemra e tij mbart diçka shumë më të madhe: respektin, admirimin dhe dashurinë e një kombi të tërë. Jovan nuk është vetëm një hero i Koçanit. Ai është një hero i gjithë vendit tonë. Një simbol i asaj që do të thotë të vendosësh njerëzimin mbi frikën. Një kujtim për të gjithë ne se sa shumë mund të bëjë një person me zemër të madhe”, ka shkruar Taravari.

Pas kthimit të tij në shtëpi, ai u prit me emocion dhe respekt në gjimnazin “Vanço Përçe” në Vinicë, një qytet afër Koçanit.

Zjarri i shkaktuar nga përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë një koncerti, çoi në vdekjen e 59 personave dhe plagosjen e 197 të tjerëve.

Shpërndaje në

U Kopjua