Live

Kamberi: Kërkojmë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë

09:18 / 02 Maj 2023

Nga Kosova Live

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se Serbia nuk ka alternativë përveç një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

Ai thotë se gjërat duket se janë vënë në binarë dhe po ecin në drejtimin e duhur, sa i përket marrëveshjës mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se Vuçiç paraqitet para opinionit të vet sikur është i pathyeshëm.

Por, deputeti Kamberi thotë se qëllim i tyre politik dhe strategjik është që për shqiptarët e Luginës së Preshevës të ndërtohet reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë.

Për Radio Kosovën, deputeti Shaip Kamberi, ndër të tjera, thotë se Prishtina dhe Tirana duhet të kenë programe të veçanta shtetërore për shqiptarët në Luginë.

“Komunikim kemi pasur në vazhdimësi, në baza të rregullta, edhe me Prishtinë edhe me Tiranë, ndoshta pak më shpesh me Prishtinën për shkak edhe të afërsisë gjeografike dhe tradicionalisht jemi të lidhur me Kosovë dhe qëllimi ynë politik, strategjik është që ndërtojmë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë. Prishtina është qendra përmes të cilës ne po orientohemi. Kemi një komunikim të mirë me qeverinë aktuale. Ka një program të mirë, që është ndërtuar me ndihma konkrete për Luginën e Preshevës, ka edhe tema që janë ngritur edhe në dialogun e Brukselit dhe unë mendoj se edhe qeveria në Tiranë dhe qeveria në Prishtinë do të duhej të ndërtojnë program, jo angazhime ad hoc, por program të veçantë shtetëror, ose duke e shpallur Luginën e Preshevës interes nacional të përgjithshëm, ose të ketë një program shtetëror të ndihmës konstante për shqiptarët në Luginë. Ne mund të kemi një program ad hoc për një vit buxhetor, për një vit kalendarik, për një mandat të një qeverie. Por ne jemi të interesuar të ndërtojmë raporte të atilla, në kuadër të një programi shtetëror, të cilin shteti i Kosovës dhe shteti i Shqipërisë duhet ta kenë për Luginën e Preshevës”, ka thënë Kamberi ndër të tjera.

Shpërndaje në

U Kopjua