Kryeministri i Kanadasë Mark Carney qortoi Shtëpinë e Bardhë të martën pasi plane të ndjeshme ushtarake amerikane iu dërguan aksidentalisht një gazetari në aplikacionin “Signal”.
Carney tha se rrjeti i shkëmbimit të inteligjencës “Five Eyes” – i cili përfshin Britaninë, Australinë dhe Zelandën e Re, si dhe Kanadanë dhe ShBA-në – duhet të mësojë mësime nga rrjedhja e inteligjencës, e cila e pa kryeredaktorin e “Atlantic”, Jeffrey Goldberg, të përfshirë gabimisht në një zinxhir mesazhesh private në lidhje me planet e ShBA-së për të bombarduar Jemenin.
“Kur ndodhin gabime dhe rrjedhje të ndjeshme të inteligjencës, duhet të mësohen mësime për të parandaluar që kjo të mos përsëritet”, tha Carney në Halifax, Nova Scotia, kur u pyet për pasojat nga biseda që diskutoi sulmet ajrore të ardhshme, raporton “Politico”.
“Është një çështje serioze, shumë serioze dhe duhet të merren të gjitha mësimet”.
“Ne kemi një partneritet shumë të fortë të inteligjencës me amerikanët përmes ‘Five Eyes’. Gabimet ndodhin, por ajo që është e rëndësishme është se si njerëzit reagojnë ndaj këtyre gabimeve”, shtoi ai.
“Ata nuk i mohojnë gabimet; se janë të qartë dhe transparent në adresimin e tyre”.
Raporti i “Atlantic”, i publikuar të hënën, tronditi zyrtarët e sigurisë kombëtare dhe anëtarët e Kongresit.
POLITICO raportoi më vonë se Mike Waltz, këshilltari për sigurinë kombëtare, mund të jetë “koka e turkut” brenda Shtëpisë së Bardhë, megjithëse Presidenti i ShBA-së Donald Trump shprehu besim tek Waltz gjatë një interviste me NBC News të martën në mëngjes.
Komentet e Carneyt vijnë me marrëdhëniet Kanada-ShBA nën tensione të rënda pasi Trumpi kërcënon vendin me tarifa dhe me aneksimin e tij si shteti i 51-të.