Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht nga Shqipëria.
Në një postim në Facebook, policia shtoi se është kapur nga policia e Greqisë 39-vjeçari, Eduard Vushaj.
I njëjti është i dënuar 16-vjet burgim për vjedhje me armë kryer në bashkëpunim.
“Në kuadër të operacionit, Policia greke lokalizoi, kapi dhe arrestoi provizorisht me qellim ekstradimi shtetasin Eduard Vushaj, 39 vjeç. Në vitin 2016, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar me 16 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja me armë”, sepse në vitin 2013, në fshatin Grabom, ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka ndaluar automjetin me të cilin lëviznin 2 shtetas dhe duke i kanosur me armë u ka marrë paratë dhe automjetin si dhe i ka plagosur të dy me mjet prerës (thikë)”, thuhet në njoftim.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, për ekstradimin e 39-vjeçarit, në Shqipëri.