Katër persona me inicialet A.S., L.V., Sh.L., dhe L.K., janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të veprave penale “Vrasja në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
Në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj thuhet se rasti ka ndodhur në orët e para të së hënës, saktësisht në 00:52 në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku është raportuar një rast i gjuajtjes me armë zjarri dhe si pasojë dyshohet se dy persona janë lënduar – njëri prej tyre zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare.
Dy personat e lënduar pas dhënies së ndihmës së parë nga Emergjenca e Ferizajt janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërsa, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura të dyshuara, dy armë, 16 gëzhoja dhe një predhë që dyshohet të jenë shkrepur nga armët e përdoruara në këtë rast.
“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim, raporton Klankosova.tv.