Live

KEK njofton se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi

15:57 / 19 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar rreth orës 00:30 të së enjtes.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo ndërprerje erdhi si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, të cilat aktivizuan sistemin mbrojtës të gjeneratorit dhe shkaktuan ndaljen automatike të zgjueses.

Po ashtu, KEK ka njoftuar se më 17 qershor, në njësinë A5 është identifikuar një humbje e ujit në kaldajë. Ekipet teknike e kanë monitoruar situatën dhe e kanë mbajtur njësinë në funksion deri në orën 00:02 të datës 18 qershor, kur është ndalur për të parandaluar ndonjë avari më serioze.

Ndërkohë, njësia A4 mbetet jashtë funksionit për shkak të remontit, i cili ka nisur më 16 maj.

KEK ka theksuar angazhimin për menaxhimin teknik të situatës dhe ka nënvizuar rëndësinë e standardeve të larta të përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

“Kjo është thelbësore për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe të besueshmërisë ndaj publikut”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua