Dy avionë të tipit Boeing 737 MAX 8, të destinuar për linja ajrore kineze, janë kthyer në Shtetet e Bashkuara brenda një dite, në atë që shihet si pasojë e tensioneve tregtare mes SHBA-së dhe Kinës.
Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve AirNav Radar tregojnë se njëri nga avionët u ul të hënën në territorin amerikan të Guamit, pasi u nis nga qendra përfundimtare e Boeing në Zhoushan, afër Shangait.
Dje, një tjetër avion me ngjyrat e Xiamen Airlines gjithashtu bëri rrugën e kthimit drejt Seattle, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Nuk është bërë e ditur se kush vendosi për kthimin e këtyre avionëve, Boeing apo pala kineze, por vendimi vjen në një moment kur Presidenti Donald Trump ka rritur tarifat bazë ndaj importeve kineze në 145%.
Si kundërpërgjigje, Kina vendosi tarifë 125% mbi mallrat amerikane, përfshirë edhe avionët Boeing.
Për një kompani ajrore kineze, blerja e një avioni që kushton rreth 55 milionë dollarë mund të bëhet ekonomikisht e papërballueshme me këto tarifa.
Boeing ende nuk ka komentuar mbi situatën, por kompania mund të kërkojë blerës të rinj, si Malaysia Airlines, që tashmë ka shprehur interes për avionët që mund të mos merren nga kompanitë kineze.
Ky zhvillim është një tjetër goditje për Boeing, që sapo kishte filluar të rimëkëmbet nga një bllokadë pesëvjeçare ndaj 737 MAX dhe tensionet e mëhershme tregtare.
Ai gjithashtu ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëdhënieve tregtare SHBA-Kinë dhe ndikimin e tyre në industrinë globale të aviacionit.