Live

Kompania e Bedri Gllarevës e vonon ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore

15:25 / 11 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Ende nuk ka përfunduar ndërtimi i objektit të Fakultetit të Shkencave Matematikore- Natyrore. Kompania e kontraktuar për këtë projekt është BM Group me pronar Bedri Gllarevën, që është i përfolur për përfshirje në shumë tenderë. Lidhur me vonesat për ndërtimin e këtij objekti, për Gazetën Express, kanë folur Gllareva dhe UNOPS, të cilët kanë konfirmuar vonesat.

Gurthemeli iu vendos më 23 shkurt të vitit 2023. Ndërtimi i fakultetit të Shkencave Matematikore- Natyrore ende nuk ka përfunduar, ndonëse asokohe UP thoshte se ky projekt do të finalizohej në gusht të vitit 2024. Rektori i atëhershëm, Qerim Qerimi, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, patën nënshkruar kontratën përmes së cilës Komuna e Prishtinës ia jepte në shfrytëzim pronën komunale Universitetit të Prishtinës për 99 vjet. Asokohe rektorati kishte bërë të ditur  se projekti do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Prishtinës ndërsa implementimi do të bëhet përmes metodës së menaxhimit indirekt, nëpërmjet United Nations Office for Project Services (UNOPS).

Kompania e kontraktuar për ndërtimin e këtij fakulteti është BM Group SHPK. Kjo firmë është pronë e biznesmenit Bedri Gllareva, e cila është e përfolur për përfshirje në shumë tenderë.

Gllareva, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se ky projekt do të përfundojë sipas planit dinamik të paracaktuar.

Gazeta Express kishte raportuar se rreth dy muaj më parë dy punëtorë janë lënduar në një vendpunishte në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, ku punëkryes është kompania BM Group SH.P.K.

Burimet e Gazetës Express bëjnë të ditur se njëri prej personave të lënduar ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Pas këtij rasti, Inspektorati i Punës ka ndërprerë punimet në atë vendpunishte. Përveç kësaj, në të njëjtin vend është rrëzuar edhe një vinç i peshave të rënda, që ka rrezikuar punëtorët aty.

Lidhur me këtë, Gllareva ka thënë se të gjithë punëtorët e kompanisë janë të certifikuar për siguri dhe shëndet në punë.

“Sa i përket masave mbrojtëse, të gjithë punëtorët e BM Group-it janë të certifikuar për siguri dhe shëndet në punë, po ashtu kanë edhe sigurim aksidental, sa i përket vendpunishtes së cekur ka punuar nënkontraktori i ynë, andaj  jeni keq informu nga porositësi i lajmeve të tilla, i njohur për ne.”

Ai ka thënë se në çdo vendpunishte të BM Group “cilësia e materialit është e nivelit të lartë, e projektuar edhe sipas kërkesave dhe normave të ndërtimit”.

Burimet e Gazetës Express kanë bërë të ditur se kjo kompani ka vështirësi financiare që kanë ndikuar në disa vonesa në kryerjen e projektit.

Gllareva ka thënë se ky është keqinformim.

“Është shumë e qartë keqinformimi nga porositsi i lajmit, ngase vonesë për një vit e gjashtë muaj, është jo logjike, ngase projekti ka fillu në janar të 2023, andaj ështëe pakuptim, por shihet shumë qartë se është tendencioze”, ka thënë Gllareva për Express.

Mirëpo Gllareva është demantuar nga UNOPS- Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit- që bën implementimin përmes metodës së menaxhimit indirekt.

Një zëdhënës i UNOPS’it i ka thënë Gazetës Express se projekti ka pasur disa vonesa për shkak të “një kombinimi faktorësh”.

“UNOPS ka politika dhe mekanizma për monitorimin dhe menaxhimin e performancës së kontraktorëve. Projekti ka pasur disa vonesa për shkak të një kombinimi faktorësh. Një program pune i rishikuar u ra dakord nga palë të ndryshme të interesuara. Tani punimet po ecin sipas programit të rishikuar të punës.”

Të pyetur se për cfarë vonesash bëhet fjalë, ata s’kanë dhënë informacione.

“Faleminderit për pyetjen tuaj. Duke qenë se kjo ka të bëjë me çështje të brendshme, UNOPS nuk është në gjendje të japë informacione të mëtejshme” kanë theksuar nga

Ndërkaq sa i përket sigurisë së punëtorëve, UNOPS ka thënë se kjo çështje është prioritet për ta.

“Shëndeti dhe siguria e të gjithë punëtorëve është një prioritet kryesor për UNOPS-in dhe UNOPS-i është i përkushtuar të ruajë standardet më të larta të shëndetit dhe sigurisë në të gjitha projektet e tij. Kur në raste të rralla ndodhin incidente pavarësisht masave të marra nga UNOPS dhe kontraktorët e tij, ato trajtohen menjëherë në përputhje me standardet e UNOPS.  Më shumë informacion mbi UNOPS-in dhe angazhimin e tij ndaj shëndetit dhe sigurisë mund të gjeni në faqen tonë të internetit

UNOPS është deklaruar edhe rreth cilësisë së materialeve te përdorura në këtë projekt.

“UNOPS ka procedura të vendosura për të verifikuar cilësinë e materialeve të përdorura për projektin dhe nuk është në dijeni të ndonjë problemi në këtë drejtim.”

BM Group SHPK, kompani e favorizuar nga MSH për renovimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK

BM Group SH.P.K., muaj më parë është përfolur si kompani e favorizuar nga Ministria e Shëndetësisë për renovimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK.

“Favorizim. Standarde të dyfishta. Pranim i punonjësve jashtë kritereve. Prekje e dokumentit me implikim deri në 2.2 milionë euro. Janë vetëm disa prej akuzave publike që janë deponuar për tenderin 22 milionësh të Ministrisë së Arben Vitisë, punë kjo që po i bëhet gati firmës së biznesmenit Bedri Gllareva. Insajderi sjell detaje të prapaskenave të kësaj afere”, kishte raportuar Insajderi muaj më parë për përfshirjen e kompanisë së Bedri Gllarevës në këtë tender publik.

Në janar të këtij viti Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga njeriu i afërt i Kryeministrit Albin Kurti, Ministri Arben Vitia kishte bërë shpalljen publike që po do ta vazhdojë renovimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK.

Aty ishin planifikuar të shpenzohen mbi 22 milionë euro në këtë punë. Në garë kishin hyrë tetë kompani, ose grupe të kompanive (konzorciume) për të marrë kontratën e kësaj pune milionëshe.

Por, jo të gjithë janë ndarë të kënaqur me mënyrën se si kishte ecur procesi që drejtohet, së paku në letra, nga shefi i tenderëve në dikasterin e shëndetësisë, Berat Marmullaku.

Ato ditë në Organin Shqyrtues të Prokurimeve (OShP) ishin deponuar pesë ankesa, derisa katër prej tyre ende janë në shqyrtim. Njëra është konsideruar e papranuar për shkaqe teknike.

Por, ku është thelbi i ankesave dhe në çfarë akuza janë lëshuar ata në lidhje me këtë punë prej mbi 22 milionë eurosh? Favorizim, është kryefjala e së paku njërit prej ankuesve që edhe ka deponuar prova që pretendon që e mbështesin akuzën.

Gazeta Insajderi e kishte pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për pretendimet për favorizim e standarde të dyfishta, por ky dikaster qeveritar s’ishte përgjigjur.

“Theksojmë se autoriteti kontraktues (Ministria e Shëndetësisë) ka përdorur standarde të dyfishta gjatë vlerësimit të vlerësimit të tenderëve lidhur me trajtimin e Kërkesës 2 të përshkruar tek neni 8.1 & 8.2 të FTD-se, sa i përket pranimit si të vlefshëm të Garancionit të operatorit ekonomik të shpallur fitues “BM Group SHPK”, ndërsa atë të dorëzuar nga kompania jone, jo. Autoriteti kontraktues ka konstatuar se garancioni i ofruar nga “BM Group SHPK” i përmbush kushtin për të qenë i pakushtëzuar, edhe përkundër se gjuha e përdorur ne letër referencen e shkruar për operatorin e rekomnaduar per kontrate është në kuptimin e njëjtë, respektivisht kur Banka ka theksuar se, citojmë: ”… bazuar ne politikat e matjes dhe menaxhimit të riskut lidhur me mbështetjen financiare…”, Andaj ne kuptimin e shprehjes konsiderojmë se shprehja ka kuptimin e njëjtë sikurse edhe tek garancioni ynë bankar, kur thuhet se: ”pas analizës të bërë nga analistët tanë të kredive”’, thuhej në ankesën e “Ada Consulting Group” SHPK.

Gazeta Express ka pyetur firmën e biznesmenit Bedri Gllareva, “BM Group Sh.P.K” rreth këtij tenderi.

Ata kanë konfirmuar se MSH ua kishte dhënë kontratën.

“Pas përfundimit të procedurave përkatëse të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, është bërë njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues, dhe me datë 02.04.2024, me anë të shkresës, përkatësisht letrës standarde për tenderuesin e suksesshëm, njoftohemi se tenderi ynë me çmimin e dorëzuar në ofertë prej 19,943,163.85 euro, dhe rrjedhimisht na është dhënë kontrata përkitazi me këtë aktivitet të prokurimit” theksonin ata.

Pas ankesës së kompanive s’ka një vendim.

“Pas kësaj, jemi njoftuar se palët e pakënaqura me vendimin e autoritetit kontraktues, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), mundësia përkatësisht afati për ushtrimin e këtij mjeti juridik është i përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-042 për prokurimin publik në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, me Ligjin Nr. 05/L-068, si dhe Ligjin 05/L-092, (tutje: Ligji) neni 109, dorëzimi i të cilës duhet të bëhet në afatin prej dhjetë (10) ditëve pas datës së njoftimit për dhënien e kontratës.

Referuar situatës së rastit konkret, ndaj njoftimit të Ministrisë përkitazi me njoftimin për dhënie të kontratës është ushtruar ankesë, mirëpo edhe përkundër se kanë kaluar me shumë se 120 ditë, nga dita e njoftimit për dhënie, nga OSHP-ja jemi ne pritje te vendimit” theksojnë ata.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...