Dy ditë pasi PDK-ja dega në Prishtinë e shtyeu në kuvend heqjen e kufizimit të orarit të punës së barnatoreve, komuna ka dalë me një sqarim shtesë.
Në njoftimin e Komunës së Prishtinës bëhet e ditur se orari i punës së tyre mbështetur në Rregulloren bazike në fuqi, fillon në ora 07:00 dhe mbaron në ora 22:00 (përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare).
“Të dashur qytetarë,
Funksionimi i barnatoreve, respektivisht orari i punës së tyre mbështetur në Rregulloren bazike në fuqi, fillon në ora 07:00 dhe mbaron në ora 22:00 (përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare).
Ndërsa, kujdestaria e barnatoreve fillon nga ora 22:00 deri në ora 07:00, sipas orarit që do të përgatitet nga Drejtoria e Shëndetësisë.
Së shpejti pritet edhe vendosja në përdorim të aplikacionit, nga ku mund të dihet saktë orari dhe barnatorja kujdestare në kryeqytet për datën përkatëse.
Drejtoria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar që të trajtojë secilën kërkesë të arsyeshme dhe të kontribuojë që jeta e qytetarëve, mbi të gjitha shëndeti i tyre të jetë parësor në secilin rast” thuhet në njoftim