Live

Komuna e Ulqinit i dërgon letër Komisionit Evropian për marrëveshjen me Emiratet

20:51 / 14 Prill 2025

Nga Kosova Live

Komuna e Ulqinit i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku shpreh shqetësimin për marrëveshjen e Qeverisë së Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe (MEBA), e cila pritet të miratohet më 17 prill.

Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, paralajmëron se marrëveshja mund të rrezikojë identitetin kulturor dhe përbërjen demografike të Ulqinit, duke lejuar hyrjen e mijëra punëtorëve të huaj në zonë, në kundërshtim me Ligjin për të Drejtat e Pakicave, transmeton klankosova.tv.

Në letër theksohet gjithashtu mungesa e transparencës dhe shqetësimet për ndikimin mjedisor në zona të ndjeshme si Plazhi i Madh dhe Kriporja e Ulqinit.

Komuna kërkon ndërhyrje të BE-së për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të garantuar respektimin e standardeve evropiane.

”Me këtë letër, kemi nderin të ndajmë me Ju shqetësimin tonë të thellë dhe legjitim në lidhje me politikat dhe praktikat e Qeverisë së Malit të Zi,  të cilat, në shumë raste, bien ndesh me Kushtetutën e këtij vendi dhe me parimet themelore evropiane që mbështesin të drejtat e pakicave, barazinë dhe diversitetin kulturor.

Veprimet e fundit të Qeverisë së Malit të Zi, për fat të keq, janë në kundërshtim të hapur me këto parime. Në mënyrë të paprecedentë, Qeveria ka vendosur të lidhë një marrëveshje ndërkombëtare me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke ndjekur një procedurë të përshpejtuar dhe emergjente – si të ndodhej vendi në gjendje lufte – për t’ia paraqitur Kuvendit të Malit të Zi për ratifikim (“MEBA”), e cila do të futet për miratim në seancën e Kuvendit të Malit të Zi më 17 prill 2025.

Për shkak të këtij afati jashtëzakonisht të shkurtër, as Komuna e Ulqinit dhe as qytetarët e saj, të cilët i përkasin minoritetit shqiptar, nuk kanë pasur mundësinë e nevojshme për të ndërmarrë hapat ligjorë dhe kushtetues për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime.

Për më tepër, marrëveshja në fjalë, sipas të gjitha gjasave, përmban mangësi serioze ligjore. Këtë e ka pranuar edhe vetë Presidenti i Republikës së Malit të Zi, z. Jakov Milatović, i cili – sipas raportimit të gazetës ditore “Vijesti” të datës 9 prill 2025 – ka kërkuar që të ngrihet përgjegjësi penale për zyrtarët që kanë nënshkruar MEBA-n.

Projektet e mëdha infrastrukturore si Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe parashikojnë importimin e mijëra punëtorëve të jashtëm – siç parashikohet edhe  në vetë tekstin e marrëveshjes – duke krijuar kështu presion të madh mbi ekonominë lokale dhe demografinë.

Sipas nenit 39 të Ligjit mbi të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, ndalohen shprehimisht çdo lloj mase që prish strukturën demografike të zonave ku jetojnë pakicat kombëtare. Marrëveshja MEBA, si dhe zbatimi i saj i mundshëm, janë projekte të zhvillimit masiv që, pa asnjë dyshim, do të sjellin pikërisht këtë: përmbysjen e ekuilibrave demografikë dhe cënimin e identitetit të Ulqinit si një zonë me shumicë shqiptare autoktone.

Gjatë gjithë historisë së re të Malit të Zi, shqiptarët kanë dëshmuar lojalitet të palëkundur ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, duke qenë faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe paqeje në rajon. Ata kanë qenë pjesë aktive në procesin e pavarësimit të Malit të Zi, duke i besuar se parimet dhe garancitë e sanksionuara në Kushtetutën e Malit të Zi (KMZ) do të respektohen pa kompromis nga çdo qeveri, pavarësisht orientimit të saj politik.

Plazhi i Madh i Ulqinit, si simbol identitar dhe ekonomik, përbën jo vetëm një resurs natyror, por edhe një gur themeli për mbijetesën dhe dinjitetin tonë kolektiv.

Një tjetër e drejtë që është shkelur, për të cilën kemi pasur garanci kushtetuese, por që njëkohësisht përbën edhe një orientim të fuqishëm evropian – të cilin Mali i Zi është zotuar se do ta zbatojë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – është e drejta për një mjedis të shëndetshëm. Projektet që rrezikojnë ekosistemet (si në Plazhin e Madh apo në Kriporen e Ulqinit), të realizuara pa vlerësime të ndikimit mjedisor, shkelin këtë të drejtë.

Shihet qartë se për autorët e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, përfitimi ekonomik ka qenë mbi çdo kufizim kushtetues apo ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në letrën e kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegut, drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen

Shpërndaje në

U Kopjua