Live

Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama: Të përkushtuar për të përmbushur detyrat e kalenderit

09:57 / 14 Prill 2025

Nga Kosova Live

Sot në Luksemburg do të zhvillohet konferenca e katërt ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë.

Në këtë konferencë pritet të hapet zyrtarisht grup-kapitulli për “Tregun e Brendshëm”, duke çuar në tre numrin e grupeve të kapitujve me të cilët Shqipëria ka nisur zyrtarisht bisedimet me Brukselin.

Para fillimit të kësaj konference, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh shumë i lumtur teksa në krah kishte presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, njofton Klankosova.tv.

“Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me presidentin e Këshillit Evropian i cili me mençurinë dhe vëmendjen e tij ndaj vendit dhe rajonit tonë, ka bërë shumë. Është diçka që e vlerësoj. Dita shumë e mirë sot për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë i jam mirënjohës presidentit për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që po bëjmë në këtë proces. Ka shumë për të diskutuar por në përgjithësi jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur detyrat e kalendarit për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027-ës”, u shpreh shefi i qeverisë shqiptare.

“Bruksel – Me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, për të diskutuar progresin e bërë në procesin e negociatave (sot hapim një tjetër grupkapitujsh në Konferencën IV Ndërqeveritare), si edhe për përgatitjet e Samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj, e natyrisht edhe për situatën në rajon, ku Presidenti do të bëjë vizitën e tij të parë zyrtare në vigjilje të këtij Samiti”, ka shkruar Rama në Facebook, njofton Klankosova.tv.

Kryeministri Rama fillimisht u ndal në Bruksel për takimin me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndërkohë më pas do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në konferencën e katërt ndërqeveritare.

Në këtë konferencë, e pranishme do të jetë edhe komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Shpërndaje në

U Kopjua