Gjykata Themelore e Prishtinës, ia caktuar 30 ditë paraburgim V.B, i cili dyshohet se ka manipuluar me provat në rastin “Capat”-Sekiraqët.
Sipas Themelore, i dyshuari në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata njoftoi se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.09.2024 në Prishtinë, “pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri V.B merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit S.S dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit F.A, me ç ‘rast shkon në terasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal, ku vërehet se në duar nuk ka më asgjë, e më këto veprime i pandehuri V.B në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Manipulim me prova.
Po ashtu me të njëjtën datë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor”.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin V.B dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerësoi se e caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse “nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, mund të shmanget nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe i mund të kryejë vepër penale tjetër penale”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.