Live

Kosova ia kalon Amerikës me kritere, Trump urdhëron prodhimin e rrymës me qymyr

16:56 / 18 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kosova në vitin 2024-të ka importuar qymyr të përpunuar nga shtetet fqinje dhe vendet e tjera në vlerë prej 6 milionë eurove, sepse nuk ka arritë të ndërtojë asnjë megavat kapacitet për të prodhuar energji nga qymyri.

Përkundër që fjalia “Kosova flen mbi qymyr”, pothuajse është kthyer në klishe, ky qymyr nuk ka shërbyer për asgjë me Qeverinë  Kurti.

Sapo erdhi në pushtet Qeveria Kurti një nga punët e para që bëri ishte prishja e marrëveshjes me kompaninë amerikane “Contour Global”, e cila në kohën e qeverisjes së Ramush Haradinaj arriti marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, që parashihej  investimi prej 1.3 miliard euro për ndërtimin e termocentralit dhe prodhimin 500 megavatë orë energji elektrike.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillonte ndërtimin në vitin 2022-të, kurse në punë termocentrali pritej të fillonte në vitin 2023-të. Ky termocentral ishte parapa me një gjatësi prej 40 viteve.

Termocentrali nuk filloj të ndërtohej, mirëpo kompania amerikane kishte paditur shtetin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për mos respektim të marrëveshjes.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës e kishte humbur këtë betejë në vitin 2023-të ku është detyruar të paguaj hiç më pak se 20 milionë euro.

Për dallim nga Kosova që e kishte cilësuar ndotës qymyrin, Administrata Trump  nuk i bëri përshtypje qymyri dhe ndotja e ambientit.

Trump ka kërkuar që menjëherë të fillohet prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri, duke mos i dëgjuar kritikët se po ringjall “dinosaurët” që ndotin ajrin.

Trump përmes një postimi në rrjetin social X ka paralajmërur prodhimin e energjisë me qymyr pas shumë vitesh.

“Pas vitesh të mbajtjes rob nga ekstremistët mjedisorë, luantikët, radikalët dhe banditë, duke lejuar vendet e tjera, veçanërisht Kinën, të fitojnë avantazhe të jashtëzakonshme ekonomike mbi ne duke hapur qindra të gjitha termocentralet me qymyr, unë po autorizoj administratën time që të fillojë menjëherë prodhimin e energjisë me qymyr të bukur të pastër”, ka shkruar Trump.

Këtë vendim të presidentit amerikan e ka përkrahuar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka kujtuar vendimin e Ministrit të Ekonomisë, Ethem Çeku për ndërtimin e kapaciteve të reja por sipas tij, “ishte ndaluar”.

“Presidenti Trump, dje, më 17 Mars 2025, autorizoi Administratën e tij për të filluar menjëherë prodhimin e energjisë me thëngjill. Kosova flen mbi rezervat më të mëdha të qymyrit në botë, por ende vuan nga çmimi i lartë i energjisë.Kosova duhet të bëhet një superfuqi energjetike. Në vitin 2007, profesori Ethem Çeku, në atë kohë Ministër i Energjisë u mundua, por e ndaluan”, ka shkruar ai.

Tahiri e ka përmendur edhe marrëveshjen me “Contour Global”, ku ky i fundit ka hedhur akuza për ndalim që sipas tij ka qëndruar “mafia ndërkombëtare dhe përfituesit lokal”.

“Po ashtu, Kryeministri Haradinaj në vitin 2018 u mundua, por u ndalua nga mafia ndërkombëtare dhe përfituesit lokalë. Sot, nuk ka më askush që ta pengojë këtë projekt. Tani është koha për lidership strategjik, veprim konkret dhe zhvillim të qëndrueshëm!”, ka shkuar ai.

Kujtojmë që Kosova, ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe nxen vendin e pestë për nga sasia në botë edhe pse në vitin 2025 Kosova është përballë me mungesë të madhe të energjisë elektike.

Shpërndaje në

U Kopjua