Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 27-të të Symi Symposium, i cili po mbahet këtë javë në ishullin Skiathos të Greqisë.
Në listën zyrtare të pjesëmarrësve të publikuar nga organizatorët, Kurti vijon të prezantohet si “Kryeministër i Kosovës”, pavarësisht se ai mban tashmë funksionin kryeministrit në detyrë.
Në një video promovuese të publikuar nga organizatorët e Symi Symposium, ku prezantohet tema e këtij edicioni, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shihet përkrah themeluesit të simpoziumit dhe ish-kryeministrit grek, George Papandreou. Kurti shfaqet në pamje pikërisht në segmentin ku theksohet se në këtë simpozium marrin pjesë liderë shtetesh, duke e përforcuar simbolikisht statusin e tij si udhëheqës i Kosovës, pavarësisht se ai nuk është më Kryeministër i Kosovës.
Më 15 korrik, Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të kundërligjshëm Udhëzimin Administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, për arkat dixhitale fiskale, duke konfirmuar se nxjerrja e vendimeve nga një person që ushtron edhe funksionin e deputetit edhe të ministrit përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Symi Symposium, i themeluar më 1998 dhe i emërtuar sipas ishullit grek ku fillimisht u mbajt, është një ngjarje e përvitshme që mbledh mendimtarë globalë, figura politike, laureatë të Nobelit, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistë për të diskutuar çështjet më të rëndësishme të kohës.
Këtë vit, simpoziumi mbahet nga 13 deri më 17 korrik nën temën: “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i shpresës në një botë të trazuar – kultivimi i paqes, demokracisë dhe shoqërive të qëndrueshme.”
Krahas zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po merr pjesë në simpoziumin ndërkombëtar që po mbahet në Greqi. Ndërkohë, nesër në ora 11:00, pritet tentimi i 48-të për të konstituuar Kuvendin.