Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale do të fillojë më 1 korrik 2025.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se aplikimi për akreditim do të bëhet përmes platformës elektronike, e cila do të jetë e qasshme me fillimin e kësaj periudhe.
“Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund t’i vëzhgojnë zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Më tej, KQZ shton se subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:
Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhje Lokale – do të fillojë më 1 korrik dhe do të përfundojë më 17 shtator 2025;
Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare e ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja – do të fillojë më 1 korrik dhe do të përfundojë më 27 shtator 2025;
Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare – do të fillojë më 1 korrik dhe do të përfundojë më 7 tetor 2025.