Live

Kritere të kundërligjshme në tenderin 18 milionësh për bulevardin e Gjilanit, lënda ende e pa trajtuar në OSHP

15:44 / 24 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Tenderi me vlerë mbi 18 milionë euro për ndërtimin e bulevardit në Komunën e Gjilanit është bërë objekt ankese nga dy operatorë ekonomikë, “Pro&Co Group” dhe “SEMAKS SH.P.K.”. Ankuesit kanë hedhur dyshime për kritere diskriminuese dhe të kundërligjshme në këtë tender.

Dy kompanitë që kanë konkurruar për projektin për ndërtimin e bulevardit të Gjilanit, “Pro&Co Group” dhe “SEMAKS SH.P.K.”. i janë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me pretendimet se në dosjen e tenderit janë vendosur kriteret të kundërligjshme, të cilat, sipas tyre, favorizojnë një operator të caktuar.

Ankuesit në OSHP i kanë kundërshtuar kërkesat e tenderit ku janë kërkuar kritere, sipas ankuesve, të kundërligjshme dhe diskriminuese.

Në ankesën e tyre në OSHP operatorët kanë paraqitur argument e tyre se pse kriteret që i ka vendosur Komuna e Gjilanit janë të kundërligjshme dhe dyshohet të jenë të kurdisura për një operator tjetër ekonomik.

Në dosjen e tenderit është vendosur kërkesa e parë që Operatori ose grupi i operatorëve ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata për projekte të ndërtimit të natyrës së ngjashme në vlerë prej 15 milionë euro, ndërsa prej tyre 6 milionë euro duhet të jenë punë në projekte të ndërtimit të nënkalimeve.

Kjo kërkesë sipas operatorëve që janë ankuar në OSHP duhet të korrigjohen sepse për punë të nënkalimeve shuma 6 milionë euro është diskriminuese. Sipas tyre , punët e nënkalimeve janë të ngjashme me punët e rrugëve dhe punët ndërtimore të objekteve ose parkingjet e ndryshme.

“Andaj kërkojmë që të largohet kriteri për nënkalime sepse punët janë të ngjashme sikurse tek punët tjera”, thuhet në ankesën e Operatorëve në OSHP.

Raporti i plotë KËTU:

Komuna e Gjilanit ka kërkuar që Operatori Ekonomik që do ta fitojë tenderin, duhet të ketë edhe certifikata të qëndrueshmërisë dhe performancës, gjë që, sipas ankuesve këto kritere janë absurde dhe e favorizojnë specifikisht një kompani.

“Kërkesa 5. OE duhet të jetë i certifikuar me certifikata si në vijim a) OE duhet te ofroj certifikatën e qëndrueshmërisë se performances dhe konformitetit (EN 40-5 2002-1608-CPR-P033 valide) duke bashkangjitur Certifikatën e karakteristikave te produkteve 6.8m, 12.8m për shtylla konike ndriçimit. Certifikata duhet të jetë në emër të OE i cili aplikon ose duhet të ketë autorizim për certifikatën në fjale. b) OE duhet te ofroj certifikatën për kontaktore me standardin IEC 60947-4 2009 dhe ndërprerës për orman me standardin IEC 60947-3 2020”, thuhet në kërkesën numër 5 të kritereve që i ka vendosur Komuna e Gjilanit.

Ndërsa operatorët që janë ankuar në OSHP e argumentojnë se këto kërkesa janë diskriminuese për arsye se këto karakteristika ofrojnë kompanitë që janë prodhuese të shtyllave, prandaj prodhuesit janë të certifikuar më këto standarde e nuk ka arsye që të jetë i certifikuar edhe operatori ekonomik.

“Por e rëndësishmja është që të gjitha materialet që do të përdoren do të ofrohen sipas kërkesave të projektit dhe të miratuara nga menaxheri i projektit. Mbi këtë bazë vlerësojmë se duhet të largohen këto kërkesa pasi që është shumë favorizuese dhe njëkohësisht kufizuese për shumë Operator Ekonomik”, thuhet në ankesën e operatorëve.

Po ashtu, komuna ka vendosur në kritere të tenderit edhe në pajisje, që sipas ankuesve, janë të panevojshme për kryerjen e punimeve. Njëra ndër to është një gjysmë rimorkio speciale me 2 pompa për debllokimin e kanalizimit dhe zbrazjen e pusetave me presion min. 200 bar me kapacitet 500 litra.

Sipas ankuesve në OSHP, kjo pajisje është e panevojshme dhe diskriminuese “sepse s’ka pozicion në paramasës për këtë pajisje sepse këtu kemi të bëjmë me ndërtim dhe jo mirëmbajtje të projektit”.

“Nuk ka paramasë një pozicion për debllokim të kanalizimeve, prandaj kjo kërkesë është plotësisht e panevojshme në këtë aktivitet prokurimi”, thuhet në ankesë.

Po ashtu në kriteret e tenderit janë kërkuar 2 vinça. Njëri për ngarkim dhe shkarkim të automjeteve e tjetri për bartjen dhe ngritjen e materialeve deri në 40 metra.

Por, këto dy pozicione po kundërshtohen nga operatorët që janë ankuar, sepse në askund nuk ka punë që do të kryen në lartësi 40 metërshe në sheshin që do të ndërtohen dhe po ashtu ngarkimi dhe shkarkimi i automjeteve mund të bëhet edhe me pajisje tjera.

“Për neve është e paqartë se në cilin vend do të ketë ngritje të materialeve deri në 40 metra”, thuhet në ankesë.

Shumica e kërkesave që janë vendosur në dosje të tenderit, sipas operatorëve që janë ankuar, nuk gjenden ne pozicionet e punimeve që do të kryhen në punishte.

Komuna ka kërkuar lugë ngarkuese me pirun dhe fshesa, lugë ngarkuese me fshesa, xhip transportues me korpë me 2 dyer me sistem 4×4, traktor me fshisë për pastrim 1.5 ton.

Krejt këto kërkesa janë kundërshtuar nga Operatorët që kanë bërë ankesë, duke argumentuar se shumica e këtyre pajisjeve që janë kërkuar nuk kanë lidhje me asnjë pozicion.

Ankesa është bërë më 4 prill të 2025 dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim nga OSHP.

Tenderi peshon 18 milionë euro dhe për këtë ankesë ekspertet e OSHP kanë dhënë përgjigje duke i dhënë të drejtë në disa pika ankuesit.

Në procesin e shqyrtimit të ankesave për tenderin “Ndërtimi i projektit të integruar të Bulevardit të qytetit Gjilan”, eksperti teknik ka konstatuar se disa nga kërkesat e Autoritetit Kontraktues (AK) janë të panevojshme dhe kufizuese për konkurrencën, duke vlerësuar si të bazuara disa pretendime të Operatorit Ekonomik (OE) ankues “SEMAKS SH.P.K.”

Në pretendimin e dytë, OE ka kundërshtuar kërkesën për paraqitjen e certifikatave të konformitetit dhe performancës për shtyllat ndriçuese, si dhe pajisje elektrike sipas standardeve të caktuara ndërkombëtare (EN 40-5 dhe IEC 60947).

Sipas OE-së, kërkesa është diskriminuese pasi këto certifikata ofrohen vetëm nga prodhuesit e pajisjeve, ndërsa në tender kërkohej ndërtimi dhe jo prodhimi i materialeve elektrike. Ata kanë theksuar se pajisjet e përdorura në projekt do të jenë të miratuara nga menaxheri i projektit dhe në përputhje me specifikat teknike.

Në përfundim, eksperti rekomandoi që Autoriteti Kontraktues – Kuvendi Komunal i Gjilanit – të rishikojë dhe korrigjojë dosjen e tenderit, me qëllim të eliminimit të çdo elementi diskriminues apo kufizues dhe garantimit të një gare të drejtë dhe transparente.

Ankesa është dorëzuar më 4 prill 2025, por deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë shqyrtimi dhe nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar nga OSHP.

Shpërndaje në

U Kopjua