Live

Krizë në Mianmar pas tërmetit shkatërrues, OBSH kërkon 8 milionë dollarë ndihmë urgjente

06:56 / 31 Mars 2025

Nga Kosova Live

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë një apel urgjent për 8 milionë dollarë, ndërsa grupet humanitare paralajmërojnë për një krizë në përkeqësim në Mianmar, pas një tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.7.

Gati 72 orë pas katastrofës, autoritetet ushtarake të Mianmarit kanë konfirmuar se numri i viktimave ka arritur në 1,700, ndërsa qindra persona janë ende të zhdukur.

Përveç pasojave të tërmetit, ushtria ka intensifikuar sulmet ajrore kundër grupeve të armatosura të rezistencës, të cilat kanë luftuar regjimin ushtarak për katër vjet.

Lëkundjet e fuqishme të tërmetit janë ndjerë edhe në vendet fqinje, përfshirë Tajlandën, ku numri i viktimave ka arritur në 18.

Në Bangkok, ekipet e shpëtimit po punojnë intensivisht për të nxjerrë 76 punëtorë ndërtimi, të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese që ka shembur.

Familjarët e viktimave po presin me ankth lajme nga ata që janë ende të bllokuar.

Një grua tha për BBC: “Do të pres për aq kohë sa duhet.”

Ky tërmet ka shkaktuar një krizë humanitare të thellë, dhe kërkesat për ndihmë vazhdojnë të rriten. Organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet lokale janë të angazhuara për të ofruar ndihmën e nevojshme, por situata mbetet jashtëzakonisht e rëndë.

Shpërndaje në

U Kopjua