Live

Kryeziu: Votimi i fshehtë cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat themelore të demokracisë

15:59 / 09 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Kreu i KDI-së, Ismet Kryeziu ka reaguar pas dështimit të seancës së 44-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se votimi i fshehtë cenon parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

“Përtej interpretimit kushtetues, votimi i fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat themelore të demokracisë. Sidomos kur ekziston vetëm një kandidat, pa asnjë formë gare apo alternative, ky proces jo vetëm që humb kuptimin, por ngjall dyshime serioze për pazare politike, marrëveshje dhe shpërblime të fshehta, si dhe mungesë guximi për të marrë përgjegjësi publike”, ka thënë ai.

Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se në këtë kontekst, vota e fshehtë nuk garanton integritet – përkundrazi, e zëvendëson transparencën me një proces që perceptohet si i manipuluar dhe i dyshimtë.

“Deputetët nuk janë të zgjedhur për të vepruar si individë të shkëputur nga vullneti i qytetarëve. Ata janë përfaqësues publikë dhe, si të tillë, kanë përgjegjësinë të votojnë hapur – veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një figurë që do të duhej të përfaqësonte balancën dhe unitetin institucional”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua