Live

Kupchan: Trump do ulë kokë më kokë Kurtin dhe Vuçiqin

09:47 / 29 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Në muajt e ardhshëm mund të ketë një riangazhim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe ulje në tryezën e Zyrës Ovale të liderëve të dy vendeve. Këtë e paralajmëroi Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA.

Ish-këshilltari i ish-presidentit amerikan Barack Obamës tha se çfarë mund të ndodhë në Ballkan por edhe arenën globale.

“Në mandatin e parë bëri progres në lidhjet e Kosovës e Serbisë dhe njohjet e Izraelit. Europa duhet të mendojë që të drejtojë këtë proces. Për sigurinë e vet dhe SHBA të jetë më e lirë për të qëndruar në indiano-paqësor. Në 6-8 muajt e ardhshëm do të shihni ulje të pranisë ushtarake në Europë. Mendoj se do të shihni edhe një riangazhim të Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi dhe Trump që të sjellë liderët e dy vendeve në Zyrën Ovale, Trump e sheh veten e tij si paqebërës”, tha ai në A2 CNN.

Kupchan u shpreh besimplotë për arritjen e kompromisit të vështirë e të dhimbshëm, siç e cilësoi – të paqes mes dy vendeve.

“Ne kemi ende në tavolinë një perspektivë që ofron dritë në fund të tunelit dhe është marrëveshja që negociatorët e BE dhe palët ranë dakord megjithëse nuk e nënshkruan. Por deri tani ne jemi në një pozitë të vështirë se pa qëndrueshmëri politike në Beograd dhe të njëjtën në Prishtinë. Mendoj që do arrijë një ditë dhe jo shumë larg në kohë që të dy vendet të bëjnë kompromisin e vështirë e të dhimbshëm për të arritur paqen. Kurti ka bërë disa gabime gjatë mandatit të tij, që ka ndërmarrë veprime megjithëse kanë konsistente me të drejtën e Kosovës për sovranitet, ishin provokative dhe bënë hapa pas në dialog. Por nuk është përgjegjësia e Kosovës se pala që ka tërhequr këmbën zvarrë është Serbia, por duhet që Beogradi dhe Prishtina të bëjnë kompromisin e vështirë”, tha ai.

Kupchan u shpreh optimist për integrimin e Ballkanit në NATO dhe BE dhe nuk shikon rikthimin e konflikteve në shkallë të gjerë.

“Ne kemi ende shumë punë për të bërë në Ballkan. Prishtina ka pësuar zhvillim të madh, por marrëdhëniet me Serbinë ngelen të dobëta. Në Bosnjë Hercegovinë qeveria ngelet e ndarë në vija etnike, Republika Srpska mbetet aktor i vështirë, Rusia e përdor këtë hapësirë në Serbi për të përfituar avantazh nga këto boshllëqe në rajon. Nuk pres rikthim të një konflikti të një shkalle të gjerë, por është shumë e rëndësishme për SHBA e BE që të drejtojnë e përdorin diplomacinë për të shtyrë Prishtinën e Beogradin që të ecin përpara. Ka ende shumë punë për të bërë por jam optimist për rezultatin final. Parashikoj integrimin e plotë të Ballkanit në BE e NATO”.

Shpërndaje në

U Kopjua